Si sot para një viti, Dita e Europës në Shkodër shënoi hapjen e Muzeut të parë të Fotografisë në Shqipëri, të njërit prej thesareve më të çmuar të kulturës shqiptare e pse jo, europiane.
Të kudondodhur e gjithëpërfshirës, Dinastia na la në trashëgim një dokumentim të rëndësishëm historik dhe artistik të më se një shekulli që përmes fotografive ndërton historinë e Shqipërisë, ngjarjeve, momenteve, personazheve të njohura dhe anonimë. Ky vit i parë i punës ka qenë për ne një hulumtim i përditshëm, një mundësi për tu njohur e për t’ju njohur më mirë me pasurinë e fondit arkivor, një shans për t’ju prezantuar kuratorë të ndryshëm, secili prej tyre me një vështrim të veçantë mbi arkivën, një hapje për komunitetin që identifikohet me Marubin si një nga krenaritë më të mëdha të çdo kohe, një takim me më të vegjëlit të cilëve muzeu i paraqitet si një hapësirë rikreative ku të mund të kalojnë kohë duke mësuar, por kryesisht duke u argëtuar.
Një ndër vlerësimet më të mëdha të Muzeut në këtë vit të parë ishte edhe nominimi në European Museum Year Award EMYA 2017 ku Muzeu Marubi u përzgjodh në 46 muzetë më të mirë të hapur në Europë pesë vitit e fundit.Një vlerësim i tillë për ne nuk është gjë tjetër veçse një shtysë për të punuar më shumë e për të qënë më aktivë në rritjen e cilësisë publike që impakti i një muzeu duhet të ketë në komunitetin ku vepron. kjo datë nuk shënon vetëm vitin e parë të punës, por edhe ditëlindjen e të fundit të Dinastisë, Gegë Marubit, mjeshtrit dhe arkivistit, një pararendës i punës muzeale, falë përkushtimit të të cilit, për ne arkiva është një libër i hapur, me akoma shumë faqe për të lexuar.