Fototeka kombëtare Marubi ka prezantuar projektin e mbrojtjes së arkivës, një projekt ky i financuar nga ambasada gjermane në Tiranë me një fond prej 70 mijë euro.
E pranishme në prezantim ishte ministrja e kulturës Mirela Kumbaro dhe ministri i jashtëm Ditmir Bushati. Ambasadorja gjermane u shpreh e lumtur që është arritur të bëhet mbrojtja e arkivave të Marubit. “Muzeu Marubi është një thesar unik kulturor i Shqipërisë. Ne jemi shumë të lumtur që kemi arritur të mbështesim financimin e mbrojtjes së arkivës të fototekës Marubi. Për ne është e rëndësishme të ruhet kjo pasuri e cila ndodhet në Shqipëri dhe është një dëshmi jo vetëm e kulturës shqiptare por edhe asaj europiane”. Nga ky projekt janë rreth 500 mijë negativë të cilët do të arkivohen në rreth 7 mijë kuti konservimi dhe 82 mijë zarfe speciale. Deri më tani ndodheshin në kuti çokollatash duke qenë kështu një problem serioz për fototekën.