Në GJKKO ishte sot gjyqi për Fatmir Mediun. Prokuroria e Posaçme ka ngritur dy akuza ndaj ish ministrit të Mbrojtjes atë të, “Shpërdorimit të detyrës” kryer në bashkëpunim, dhe “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues për shpërthimin e ndodhur në Gërdec më 15 mars 2008, ku humbën jetën 26 persona, mes tyre dhe fëmijë, qindra u plagosën.
Në seancë ishin të pranishëm pesë ekspertët që kanë firmosur aktin e ekspertimit për dëmin ekonomik të shkaktuar nga shpërthimi. Ata i kërkuan gjyqtares kohë që të lexojnë aktin e tyre të ekspertimit të dëmit ekonomik ndërsa kanë thënë se nuk janë ekspertë të licencuar.
Latif Çela: Dua të sqaroj pozicionin tonë. Ne nuk jemi ekspert të licencuar, raporti jonë nuk mund të merret si ekspertizë. Ne kemi bërë një verifikim dokumentacioni, i kemi dhënë mendim prokurorit të çështjes por jo ekspertizë. Kemi dhënë mendim të specializuar që na është kërkuar
Gjyqtarja Irena gjoka: kështu i bie të keni kryer akt ekspertizë të rremë?
Çela: Absolutisht jo, ne s’jemi thirrur si ekspert
Mondi Hoxha: kërkojmë kohë të njihemi
Vetë Mediu ripërsëriti kërkesën për një akt ekspertizë të re.
“Unë ua kam thënë që nuk jam njohur me këtë akt. Kjo situatë tregon tendencën për të na çuar në absurditetet. Edhe zotërinjtë thonë që nuk kanë qenë ekspert të liçencuar. Shoh një tërheqje të prokurorisë, duke insistuar në mos thellim të veprimeve duke marrë për bazë një akt ekspertizë që sështë bërë nga ekspertë. Kërkojmë të bëhet akt ekspertizë e re. Kam kërkuar aktet në prokurori e gjykatë dhe nuk i kam marrë. Nëse duam një proces që s’është thjesht vullnet i njëanshëm i prokurorisë le të bëjmë një debat normal gjyqësor” tha Mediu brenda në gjykatë
Seanca u shty për në 26 qershor për t’i dhënë kohë ekspertëve të njihen me aktin. Ndërkohë Mediu përsëriti kërkesën për akt ekspertim të ri dhe në prononcimin me gazetarët jashtë gjykatës.
“Të caktohen ekspertë të mirëfilltë sipas rregullave dhe ligjit. Të mos rrimë ne një proces që zhvillohet dhe mos të dëgjojmë njeri- tjetrin. Duhet ti kemi armët e barabarta si në akuzë dhe në mbrojte. Mendoj se është shumë e rëndësishme për të dëgjuar vetë ata që quhen ekspertë dhe kanë firmosur si të tillë dhe mendoj se kontradikteti më i madh e bën këtë akt të pavlefshëm. Dua të kërkoj se si prokuroria dhe gjykata të çmojnë të vërtetën e asaj që ka ndodhur në procesin e Gërdecit.”