Dan Hutra, autor i masakrave me 3 gra të vrarë dhe 3 të tjera të plagosura, është lënë sot pas hekurave nga Gjykata e Tiranës.
Seanca për caktimin e masës së sigurisë për Dan Hutrën eshte mbajtur me dyer të mbyllura dhe nuk u lejua prania e medias. Asnjë avokat nuk ka pranuar të marrë përsipër mbrojtjen e 40-vjeçarit, çfarë ka detyruar gjykatën të caktoj një avokat kryesisht për të vijuar seancën e masës së sigurisë.
Prokuroria ka kërkuar të lihet në burg në lidhje me akuzat që rëndojnë mbi të, ndërsa dyshimet janë që ai të ketë kryer edhe krime të tjera në periudhën që ka qenë i lirë, për të cilat organi i akuzës ka nisur të kryej verifikime.
Hutra nuk ka shfaqur asnjë shenjë pendese para trupës gjykuese por ka thënë se kishte planifikuar gjithçka.
Krimi i Dan Hutrës tronditi mbarë opinionin publik, i cili me plumbat e kallashnikovit u mori jetën 3 grave të pafajshme dhe plagosi 3 të tjera në Tiranë. Dan Hutra, një ish- i dënuar për vrasje, u arrestua pas rreth 7 orësh në arrati pranë landfillit të Sharrës, i armatosur me kallashnikov.
Hutra akuzohet për 5 vepra penale, ‘Vrasje në rrethana cilësuese, ndaj dy ose më shumë personave’, ‘Vrasje me paramendim’, ‘Vrasje e mbetur ne tentative’, ‘Plagosje rëndë me dashje’, ‘Armëmbajtje pa leje’.