Policia e Vlorës sot ka arrestuar të shumëkërkuarin për vrasje të trefishtë si dhe të dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm, shtetasin Delin Hajdaraj.

Operacioni për kapjen e tij u bë gjithashtu në bashkëpunim edhe me Prokurorinë e Vlorës, ku në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative për lokalizimin e vendndodhjes së këtij shtetasi, rreth orës 20:30 të mbrëmjes, u bë e mundur kapja dhe arrestimi i tij në katin e katërt (me qira) të një pallati në lagjen “Ujë i Ftohtë” Vlorë. Delin Hajdaraj, ka qenë shpallur në kërkim për ngjarjen e ndodhur në 28 Korrik të vitit 2013, ku në bashkëpunim me Leo Osmeni, 23 vjeç (i arrestuar në flagrancë dhe i dënuar me 35 vite burg), në lagjen “Ujë i Ftohtë” në Plazhin e Kalasë, kanë qëlluar me armë zjarri automatike model 56, në prezencë të pushuesve të tjerë, ku mbetën të vrarë 3 shtetas, me gjeneralitetet përkatëse: 1- Diana Ademi., 53 vjeçe, 2- Serdi Balozi.,18 vjeç, 3- Sokol Isufaj, 35 vjeç.

Policia e Vlorës, duke patur parasysh rrezikshmërinë shoqërore të tij, ka kërkuar ndihmë nga Forcat Speciale RENEA Tiranë, të cilët në bashkëpunim kanë realizuar kapjen e këtij personi të dënuar me burgim të përjetshëm, i cili kishte rreth 4 vite në arrati. Policia dispononte informacion se ky person strehohej edhe në 2 banesa të tjera me qira brenda në qytet. Të tre banesat, i mbante me qira që prej muajit Gusht të vitit 2016 dhe i përdorte për ti shpëtuar ndjekjes së Policisë së Vlorës. Pas ndërhyrjes dhe neutralizimit të personit nga Forcat Speciale RENEA, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij në zonën e “Plazhit të Vjetër” Vlorë, Policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale: një armë zjarri të llojit Pistoletë TT, një silenciator, një krëhër të mbushur me fishekë, 37 copë fishekë në total, të kalibrit 7.62 mm dhe 2 aparatë celularë. Me arrestimin e tij është bërë ekzekutimi i vendimit të datës 2 korrik 2015, për dënimin e tij me burgim të përjetshëm, për veprën penale “Vrasje në rrethana cilësuese, e kryer në bashkëpunim”. Dosja u dërguar në Prokurorinë e Vlorës për veprën penale “armëmbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”

Artikulli paraprakMANJANI: KUNDËRSHTARËT E TRUMP DO TA KENË PISK, DERISA TË MËSOHEN
Artikulli tjetërDËMSHPËRBLIMET, BANORËT GATI PËR GREVË