Natën e 21 shtatorit 2019 është vrarë një azilkërkues nga Shkodra me emrin Sokol Sulaj, në qytetin e Sundsvall në veri të Suedisë.Ngjarja ndodhi pas një sherri banal ku një grup azilkërkuesish janë përleshur me njëri-tjetrin dhe më pas gjatë natës dy azilkërkuesit nga Rusia me të cilët është konfliktuar me herët viktima, kanë hyrë në dhomën e shkodranit dhe e kanë masakruar me thika, teksa flinte.
Identifikimi i trupit është bërë vetëm një javë më parë në morg nga të njohurit e tij. Ndërsa tani familjarët po përpiqen që ta tërheqin të ndjerin.
E motra e tij Anila Sulaj që banon në Elbasan ka kërkuar ndihmë. Ajo është lajmëruar më 19 tetor për ngjarjen dhe është munduar të kontaktojë me shqiptarët që jetojnë në Suedi për të mësuar më shumë, por edhe me ambasadën shqiptare dhe Ministrinë e Brendshme.
Tashmë ka nisur në Suedi një fushatë nga emigrantët shqiptarë për të mbledhur paratë, që trupi të kthehet në atdhe. Ndërsa ende nuk ka asnjë reagim nga Ambasada e Shqipërisë në Suedi, kur ka afro 22 ditë që ky shtetas shqiptar ndodhet në morgun e spitalit të qytetit Sundsvall .