Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia rritën masat e sigurisë për të parandaluar çdo akt terrorist, veçanërisht kundër vendeve të kultit me rastin e festave të Pashkëve që fillojnë nesër.
Në Kosovë, Këshilli Kombëtar i Sigurimit njoftoi në një komunikatë se kishte zbuluar veprime të dyshimta nga disa individë dhe grupe të lidhura me grupe dhe individë nga vende të treta. “Ata kishin planifikuar veprime kundër zyrtarëve institucionalë dhe politikë”, sipas një komunikate që nuk jep shumë detaje mbi natyrën e sulmeve të projektuara. Ambasadat e SHBA-së në Prishtinë, Shkup dhe Tiranë u bënë thirrje shtetasve të tyre për një kujdes të lartë.
“Në rajon, terroristët kanë tentuar tashmë të kryejnë sulme kundër objektivave të ekspozuar duke përfshirë këtu kishat dhe vendet e tjera të kultit, sheshet publike, arenat sportive, sallat e koncerteve apo grumbullimet publike”, sipas komunikatës. Një burim zyrtar kosovar nën mbulimin e anonimatit, konfirmoi për AFP-në arrestimin e një personi të përmendur nga media lokale. “Tre persona të tjerë janë në kërkim”, sipas këtij burimi që thekson se ata kishin lidhje me Lavdrim Muhaxhiri, alias Abu Abdullah al Kosova.
Ky person, 28 vjeç është një prej rekrutuesve krysorë dhe një prej figurave kryesore të xhihadistëve të Ballkanit nisur për të luftuar në Siri dhe në Irak në radhët e ish-frontit Al-Nosra. Ai është shfaqur në disa video propaganduese xhihadiste, veçanërisht në njërën ku shihet duke vrarë një të burgosur. Sipas medias kosovare, autoritetet kanë rritur masat e sigurisë rreth vendeve të kultit katolike dhe ortodokse dhe kanë mobilizuar shumë forca policie. Në Shpipëri, policia ka rritur gjithashtu masat e sigurisë për të parandaluar incidente kriminale, por gjithashtu dhe akte terroriste.
Nga ana e saj, Ministria e Brendshme maqedonase ka njoftuar për marrjen e një sërë masash në kuadër të kërcënimeve terroriste globale, që kanë si objektiv ndërtesat fetare. Rreth 500-600 shtetas të këtyre tre vendeve janë nisur në zonat e xhihadit në Siri dhe në Irak që prej vitit 2012. Pas kthimit të tyre ata janë vënë nën mbikëqyrje.