Një operacion po zhvillohet nga Policia e Shtetit në Shkodër, Tiranë dhe disa qytete të tjera i koduar “USDT-1”. Bëhet fjalë për një megaoperacion nga krimi ekonomik në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës dhe me urdhra të lëshuara nga Gjykata. Mësohet se nga hetimet është zbuluar një rrjet i gjerë për sa i përket mashtrimeve ekonomike dhe me Kriptomonedha. “Deri tani, në kuadër të këtij operacioni, është ekzekutuar masa e sigurisë “arrest në burg”, e caktuar nga Gjykata e Tiranës, për 17 shtetas, si dhe janë kryer kontrolle në 32 ambiente në Tiranë dhe në Shkodër”, njoftoi Policia e Shtetit. Kontrollet janë bërë në Shkodër, Vorë, Laknas, Kamëz, Fushë Krujë, lagjet Mëzez, Kashar, Fresk, dhe në lagje të tjera të kryeqytetit. Policia dhe Prokuroria po ushtrojnë kontrolle edhe në pikat e shkëmbimit valutor, Exchange. Gjykata ka dhënë masa sigurie dhe prokuroria ka kërkuar ekzekutimin e tyre nga Policia, të cilat janë në proces.
“Në cilesinë e provës materiale, janë sekuestruar pajisje kompjuterike, celularë dhe shuma të konsiderueshme parash. Operacioni është në vijim. Në përfundim të tij, Policia e Shtetit do të japë njoftim të detajuar për median dhe qytetarët”, njoftohet më tej. Ky operacion pason atë antidrogë me 10 të arrestuar dhe 48 lëkurë gjedhi të regjura në kokainë, në Tiranë dhe Fushë-Krujë kryesisht, por edhe në qytete të tjera ku mes të arrestuarve është edhe një banues në Shkodër.
Në njoftimin e saj policia bën me dije se “në përgjigjje të interesit të medias, mbi një operacion policor, aktualisht në zhvillim, ju sqarojmë se: Si rezultat i një hetimi disamujor, me metoda speciale, po zhvillohet operacioni policor i koduar ‘USDT-1’. Zhvillimi i këtij operacioni, rezultat i punës së mirorganizuar të Drejtorisë për Hetimin e Krimit Kibernetik, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë. Deri tani, në kuadër të këtij operacioni, është ekzekutuar masa e sigurisë “arrest në burg”, e caktuar nga Gjykata e Tiranës, për 17 shtetas, si dhe janë kryer kontrolle në 32 ambiente në Tiranë dhe në Shkodër. Në cilesinë e provës materiale, janë sekuestruar pajisje kompjuterike, celularë dhe shuma të konsiderueshme parash” thuhet në njoftimin e plotë të policisë.