Arqipeshkëvi i Shkodrës Angelo Massafra, njëkohësh kryetar i konferencës ipeshkvnore të Shqipërisë u lut për luftën mes Izraelit e Palestinës duke thënë se mijëra të pafajshëm po vriten nga bombat në të dy anët dhe kjo nuk është e drejtë. Këtë mesazh arqipeshkëvi e dha gjatë meshës së shenjtë në ditën e të vdekurve në varrezat katolike të Rrmajit në Shkodër.
Arqipeshkëvi Massafra dha një mesazh edhe për të pasurit duke kërkuar që të ndihmojnë më të varfrit sepse pasuria nuk është gjithçka.
Një lutje kreu i konferencës ipeshkvnore bëri edhe për ata që kanë humbur jetën në aksidentet rrugore duke thënë se të gjithë duhet që të bëjmë kujdes.
Besimtarët e pranishëm në meshën e shenjtë në ditën e të vdekurve u lutën për shpirtin e familjarëve, të afërmve e miqve të tyre që nuk jetojnë më.