Besimtarët e krishterë festojnë ditën e ujit të bekuar. Në këtë festë të rëndësishme që i paraprin arqipeshkëvi i Shkodrës Angelo Massafra, njëkohësh President i Konferencës Ipeshkvnore foli për ngjarjet e rënda kriminale brenda dhe jashtë vendit ku janë të përfshirë shqiptarët duke thënë se këto krime makabre vijnë për shkak të largësisë së njerëzve me Zotin duke u kthyer si Herodi i cili kërkoi të vriste Jezusin foshnje.
Ndërkohë arqipeshkëvi Massafra përmendi edhe arrestimet e vrasjet që po pësojnë të krishterët në Nikaragua apo edhe në Nigeri.
Një thirrje kisha katolike ka për besimtarët e saj që të dëshmojnë Jezusin çdo ditë kudo që ndodhen.
Në 6 janar ditën e ujit të bekuar, të krishterët festojnë dhe përkujtojnë mbërritjen e tre Mbretërve Dijetarë në Shpellën e Betlehemit dhe momentin e adhurimit të Jezusit, Foshnjës Hyjnore nga ana e tyre. Me këtë kremtim, Kisha kërkon të tregojë se Jezu Krishti nuk erdhi vetëm për izraelitët, por për mbarë botën. Për besimtarët e krishterë, dita e 6 Janarit simbolizon jo vetëm ditën e pagëzimit të zotit të tyre Jezu Krishtit, por edhe pastrimin e të gjitha ujërave të ndotur në mbarë botën, duke lajmëruar faljen e mëkateve dhe mëshirën e Perëndisë.