Rreth 28 mijë maturantë do t’i nënshtrohen sot provimit të parë të Maturës Shtetërore, ku do të testohen për gjuhën e huaj.

Provimi do të nisë në orën 10:00 dhe do të zgjasë 2 orë e 30 minuta. Janë rreth 144 qendra provimi që do të administrohen nga 2700 punonjës arsimorë të të gjitha strukturave, të cilët janë angazhuar për të administruar, për të monitoruar procesin e Maturës Shtetërore.

Provimet do të zhvillohen edhe në qendra me hapësira të mëdha siç janë palestra, korridore, ku 70% e mjediseve do të monitorohen nga kamerat për të siguruar dhe për të pasur një proces administrimi sa më transparent.

Pas provimit të gjuhës së huaj, më 10 qershor maturantët do t’i nënshtrohen provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, më pas më 18 qershor do kenë matematikën ndërsa më 24 qershor është provimi i fundit, ai i lëndës me zgjedhje.

Provimet e maturës nisin në orën 10:00 dhe zgjasin 2 orë e 30 minuta.

Përmes një video, Ministrja Manastirliu shprehu urimet më të mira dhe inkurajon maturantët që sot nisin këtë etapë të rëndësishme të jetës së tyre me provimin e parë, atë të gjuhës së huaj, e më pas me gjuhën shqipe dhe letërsinë, matematikën dhe lëndët me zgjedhje.

“Sot është një ditë e rëndësishme për rreth 28 mijë nxënës-maturantë në të gjithë Shqipërinë, të cilët do të kryejnë Provimet e Maturës Shtetërore, duke filluar me gjuhën e huaj, gjuhën shqipe dhe letërsinë, matematikën dhe më pas me lëndët me zgjedhje. Ky moment shënon përfundimin e një etape dhe hapjen e kapitullit të ri në rrugëtimin tuaj drejt dijes dhe aftësimit tuaj të mëtejshëm,” u shpreh ministrja.

Një nga risitë e Maturës Shtetërore këtë vit është se janë të parët që do të kenë mundësinë e gjenerimit të diplomës me vulë elektronike në sistemin e-matura, që është një hap përpara drejt modernizimit dhe digjitalizimit të mëtejshëm të shërbimeve online,” tha ministrja

Ministrja e Arsimit dhe Sportit inkurajoi maturantët që të zgjedhin universitetet shqiptare për të vijuar studimet e tyre.

“Shumë prej jush e kanë vendosur tashmë ku do të studiojnë, të tjerë janë duke e vendosur pikërisht tani, por ajo që dua t’ju them është se sistemi ynë i arsimit universitar, universitetet tona, po ju presin krahëhapur për t’ju mbështetur në realizimin e aspiratave tuaja. Universitetet tona sot ofrojnë një gamë të gjerë programesh akademike që mbulojnë interesat dhe pasionet tuaja. Ato kanë hyrë tashmë në rrugën e ndërkombëtarizimit dhe po lidhin marrëveshje të shumta me universitete të ndryshme në botë për programe të përbashkëta dhe diploma të dyfishta, si dhe për kërkimin shkencor. Ne po punojmë çdo ditë që oferta akademike të jetë sa më e kompletuar dhe tërheqëse për ju, e mbi të gjitha, të garantojë punësimin e secilit prej jush.”

Artikulli paraprakE HËNA ME SHI, MË PAS DIELL E TEMPERATURA DERI NË 31 GRADË! PARASHIKIMI I MOTIT PËR KËTË JAVË
Artikulli tjetër2003-2023, POPULLSIA E SHQIPËRISË ËSHTË PLAKUR ME RITME MË TË LARTA NË EUROPË, MOSHA MEDIANE U RRIT ME 11 VITE