Pas njoftimit për daljen e tezës së Matematikës ditën e djeshme, MAS mori në shqyrtim raportet e monitorimit të përfaqësuesve të autorizuar nga MASR në këtë provim.
Nga procesi i monitorimit të testimit ka rezultuar se 11 nxënës maturantë nga disa qarqe të vendit kanë qenë të pajisur me aparate telefoni celular. Po ashtu u morën administrative, deri largim nga puna edhe ndaj 5 administratorëve, të cilët nuk identifikuan dot nxënësit me celularë gjatë zhvillimit të provimit.
Njoftimi i MASR
Komiteti i Maturës Shtetërore 2018, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Urdhrin e MASR, nr 593, datë 23.11.2017 “Për ngritjen e Komitetit të Maturës Shtetërore 2018”, me qëllim vlerësimin e zbatueshmërisë së akteve nënligjore të procesit të Maturës Shtetërore 2018,
për provimin e detyruar të Matematikës, sesioni i parë, i zhvilluar më datë 13 Qershor 2018, mori në shqyrtim raportet e monitorimit të përfaqësuesve të autorizuar të MASR në këtë provim.
Në përfundim të shqyrtimit të këtyre raporteve, Komiteti i Maturës Shtetërore 2018, konstaton se:
Nga procesi i monitorimit gjatë zhvillimit të testimit, ka rezultuar se 11 nxënës maturantë, kanë qenë të pajisur me aparate telefoni celular, përkatësisht në:
DAR Gjirokastër: 1 nxënës.
DAR Kukës: 6 nxënës.
DAR Tiranë: 2 nxënës.
ZA Kurbin: 2 nxënës.
Nga shqyrtimi i rasteve të mësipërme, rezultoi se 5 administratorë nuk identifikuan maturantët me celularë të cilët, u identifikuan nga monitoruesit e MASR. Në qendrën e provimit, Filiali i Universitetit Dibër, drejtori i gjimnazit “Said Najdeni” z. Shefki Çorja,
me veprimet dhe mos veprimet e tij dhe në shkelje të etikës, me detyrat dhe përgjegjësitë e drejtorit të institucionit, ka penguar krijimin e kushteve normale për zhvillimin e provimit në këtë qendër.
Për sa më sipër, Komiteti i Maturës Shtetërore mbështetur në nenin Nr. 25, pika 1 shkronja d, e “Rregullore për zhvillimin e Maturës Shtetërore 2018 në Republikën e Shqipërisë”, vendosi përjashtimin dhe mosnjohjen e rezultatit për 11 nxënësit maturantë që u konstatuan me aparate celularë në mjediset e provimeve.
Ndërsa për sa i përket shkeljeve të konstatuara të drejtorit të shkollës z.Çorja, Komiteti i Maturës Shtetërore mbështetur në aktet ligjore dhe nënligjore, vendosi t’i kërkojë Drejtorisë Arsimore Rajonale Dibër, zgjidhjen e menjëhershme të kontratës.
Për 5 administratorët që kanë shkelur rregulloren e Maturës Shtetërore do të merren masa disiplinore deri në largim nga puna