Për të dytën ditë, qindra maturantë që nuk janë shpallur fitues në fazën e parë të pranimeve në universitete, kanë protestuar.
Protesta e sotme u zhvillua përpara godinës së Parlamentit, ku janë shprehur kundër formulës së përzgjedhjes. Ata kanë kërkuar takim me Ministren e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla. Maturantët me mesatare mbi 9, kanë konkurruar në disa degë, por nuk janë fitues. Lëndët me zgjedhje, të caktuara gjatë vitit të parë të gjimnazit janë ato që kanë penalizuar shumë maturantët me mesatare të lartë, për të mos fituar degët e preferuara. Maturantët fitues në raundin e parë, në më shumë se një degë, duhet të zgjedhin të regjistrohen në njërën prej tyre, duke filluar nga data 13 deri në 20 Shtator. Vendet e lira bosh prej tyre do të plotësohen me të tjerë kandidatë në raundin e dytë, i cili nis në 22 Shtator dhe aplikimi është i njëjtë. Në përfundim do të ketë edhe një raund të tretë, i cili, sipas Ministres së Arsimit, do t’i japë zgjidhje përfundimtare regjistrimit. Për këtë vit kanë aplikuar për universitet 27 mijë e 600 maturantë. Universitetet publike ofrojnë 25 mijë vende, ndërsa ato private 9 mijë.