RAMA NË BRUKSEL, BASHA NË GJERMANI PËR BOJKOTIN.Bojkoti parlamentar i opozitës, dhe rikthimi i marrëdhënieve të komunikimit mes dy kampeve politik, besohet të jetë fokusi i bisedimeve të Kryeministri Edi Rama gjatë takimit në Bruksel me kryetarin e grupit të Partive Popullore në Parlamentin Evropian, Manfred Veber.

 

Grupi i PPE pak kohë më parë bëri një rezolutë në mbështetje të opozitës shqiptare, ku shprehte shqetësim për situatën politike në Shqipëri dhe dhunimin e opozitës në Kuvend. Pritet që edhe në takimin me kryeministrin Rama kreu i PPE-së të mos jetë larg këtij qëndrimi. Ndërkohë në ditën e dytë të vizitës së tij në Bruksel, kryeministri do të takohet edhe me presidentin e PE, Martin Schulz, ku pritet me interes qëndrimi që ky i fundit do të mbajë për bojkotin disa mujor të demokratëve. Rama, është i ftuar të martën gjithashtu t’i drejtohet me një fjalë Samitit “Axhenda BE-Ballkani Perëndimor 2015-2020”, që organizohet nga “Miqtë e Europës” në Bruksel.

Nga ana tjetër edhe Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është nisur për një vizitë drejt Gjermanisë, ku pritet të marrë pjesë në zhvillimet e kongresit të CDU që mbahet me datat 9 dhe 10 dhjetor në Këln. Basha do të takohet me drejtues të lartë të CDU-së, partisë që prej tre mandatesh qeverisë gjermaninë dhe ka një rol të rëndësishëm në politikën e BE-së.

Partia Demokratike dhe CDU kanë intensifikuar bashkëpunimin mes tyre si në nivel politik ashtu dhe mes grupeve parlamentare duke ngritur dhe grupe të përbashkëta pune për këtë qëllim. Në njoftimin për shtyp thuhet se: “CDU ka mbështetur fuqimisht aksionin e Partisë Demokratike për ruajtjen dhe konsolidimin e standardeve demokratike që do të përafronin më tej Shqipërinë me Bashkimin Europian dhe që janë cënuar rëndë nga mazhoranca Rama-Meta.” Gjatë qëndrimi atje, Basha pritet të ketë takime me personalitetet më të rëndësishme të forcës qeverisëse të Gjermanisë.

Artikulli paraprakSHTËPIA E FËMIJËS 3-6 VJEÇ ME SALLË TEATRI
Artikulli tjetërKOSOVË, MIRATOHET QEVERIA