Në hollin e Radio Televizionit Shqiptar u mbajten homazhet në nderim të gazetarit të njohur Agron Bala, i cili u nda nga jeta në moshën 60 -vjeçare në 15 janar, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë.
Moren pjesë kolegë, drejtues të institucioneve të medias, bashkëpunëtorë, të afërm etj.Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, përmes një mesazh ngushëllimi, vlerësoi kontributin e gazetarit Agron Bala, i ndarë nga jeta pak ditë më parë.“Për brezin e gazetarëve të pas viteve ’90-të, emri i Agronit është ndër më të njohurit dhe me shumë kontribute në gazetarinë radio-televizive. Ai do të mbahet mend si gazetar, themelues i radios së parë private në Shqipëri, profesor i gazetarisë, e njëkohësisht si skenarist i dhjetëra dokumentarëve televizivë”, thuhet në mesazhin e Kreut të Shtetit, drejtuar familjes së gazetarit Bala. “Ai ishte një drejtues i njohur i emisioneve televizive dhe njëri ndër gazetarët e parë të Shqipërisë në selitë e organizatave evropiane në Bruksel. Gazetaria e lirë dhe pluraliste e pas viteve të rrëzimit të diktaturës komuniste, në themelet e saj ka edhe kontributin e jashtëzakonshëm të Agron Balës”, citohet mesazhi i Presidentit.I njohur jo vetëm si gazetar por edhe si pedagog i gazetarisë, profesor Bala ka patur një karrierë të pasur në televizion si skenarist, autor programi, pedagog dhe shkrimtar.Prej disa kohësh, Balaj vuante nga një sëmundje e rëndë, prej së cilës nuk arriti të shpëtonte. Ai vdiq në një spital në Itali.Kontributi i tij në gazetari daton që në fillim vitet ’90 ndërsa mbi 100 filma dokumentarë dhe programe janë përgatitur nën kujdesin e gazetarit. Ndër to përmendim dokumentare për Luigj Gurakuqin, Vaso Pashën, Hoxha Tahsinin, Mihal Gramenon, Shote Galicën etj.Që prej vitit 2006, Agron Bala ishte autor i programit 7X7 në RTSH, ndërsa në publicistikë romani i fundit është ai ”Dy kohë në një jetë”.Ndërsa përsa i përket krijimtarisë letrare publikoi dhe dy romane. Profesor Bala u lind në qytetin e Shkodrës. U diplomua në vitin 1982 në Universitetin e Tiranës, për degën gjuhë letërsi. Më pas mbaron studimet për gazetari, ndërsa studimet pasuniversitare i përfundoi në Paris të Francës. Pas diplomimit ai u përkushtua botës së letrave, radios dhe televizionit.