Pas rreth 10 ditësh në burgun e Spuzhës në Podgoricë të Malit të Zi, Irfan Domnori, atleti shkodran është liruar nga policia malazeze pasi ka kryer dënimin e tij 10 ditor në burg. Menjëherë pas lirimit nga burgut djali i tij dhe miq të 64-vjeçarit e kanë pritur në doganën e Hanit të Hotit për të ardhur drejt Shkodrës. Ky lirim është i vonuar për Irfan Domnorin sepse arrestimi i tij për të dytën herë në shtetin malazez është absurd. 64 vjeçari u arrestua sërish nga policia e Malit të Zi.

Herën e parë në gjysmë të muajit nëntor Domnori u ndalua pasi kishte valëvitur flamurin shqiptar në Krajë dhe u gjobit me 300 euro si dhe një muaj për të mos hyrë në Malin e Zi. Pasi kaloi një muaj nga ky vendim i gjykatës së Tivarit, Irfan Domnori është drejtuar sërish për në Malin e Zi për të marrë pjesë në një aktivitet atje dhe përsëri ka qenë me flamurin shqiptar por u arrestua. Denoncimin fillimisht e bëri mikja e Irfan Domnorit Elida Jorgoni e

cila shkruante se në fillim askush nuk e kishte idenë se ku ndodhej dhe vetëm pas një denoncimi në policinë e Shkodrës për zhdukjen e papritur të tij është mësuar se është arrestuar nga malazezët por pa patur një informacion më të gjërë. Në Malin e Zi pak ditë më parë u miratua ligji për mbajtjen e simboleve shqiptare por ky ligj nuk ka hyrë ende në

fuqi dhe policia malazeze e ka shfrytëzuar duke e arrestuar Domnorin për të dytën herë. Edhe pse qëndroi 10 ditë në burg, institucionet në Shqipëri por edhe politikanët shqiptar në Malin e Zi nuk bënë reagimet e duhura dhe nuk kanë ndërhyrë për ta nxjerrë nga burgu Irfan Domnorin pas këtij arrestimi absurd dhe skandaloz nga policia e Malit të Zi. Të

nesërmen pas lajmit të arrestimit ministria e jashtme e Shqipërisë u shqetësua për flamurin malazez që u dhunua në ambasadën e Malit të Zi në Serbi duke harruar se pikërisht malazezët kishin arrestuar një shqiptar për flamurin kuqezi. Ky është një diskriminim total dhe një qëndrim racist ndaj shqiptarëve nga autoritetet malazeze dhe një

politikë e cila të çon vetëm në qorrsokak. Është e turpshme se si shteti malazez shqetësohet nga mbajtja e flamurit të një shqiptari në një kohë kur në vend të këtyre politikave prapanike duhet të merret me përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve në Malin e Zi që vazhdojnë t’u shkelen të drejtat. Pavarësisht arrestimit për të dytën herë, Irfan Domnori nuk do të ndalet në mbajtjen e flamurit shqiptar kudo që të shkojë.

Artikulli paraprak6 JANARI KTHEN SHKODRËN NË NORMALITET PAS FESTAVE
Artikulli tjetërSHKODRA E TRETA PËR SHPENZIMET NË SHËNDETËSI