Pas skadimit të afatit prej 72 orësh që AKEP u la 44 portaleve për t’u regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare njofton se reagimi ka qenë pozitiv, pasi janë regjistruar, me përjashtim të ndonjë domaini të paidentifikueshëm.
Në vijim, AKEP thekson se po përgatit fillimin e procedurës administrative të pezullimit, bllokimit apo mbylljes për domainet .al apo nëndomainet e tij të cilat nuk janë vetë-identifikuar.
Në fund të njoftimit, AKEP thotë se mbetet i hapur për të bashkëpunuar me të gjithë institucionet që ky proces të konkludohet me eficensë sa më të plotë dhe ti shërbejë sa më gjerë interesit publik.
Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias Harlem Désir reagoi sot duke i dërguar një letër kryeministrit Edi Rama,
ku shprehet se ky vendim mund të ketë efekt negativ në lirinë e medias. ‘Shtetet nuk duhet të imponojnë regjistrimin e detyrueshëm për mediat online si parakusht për punën e tyre, gjë që mund të ketë efekt shumë negativ në lirinë e medias’ thotë ai ndër të tjera.
Të hënën AKEP, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare publikoi një listë me portalet e paregjistruara dhe la afat 72 orë që të publikojnë numrin e Nipt-it në faqen e tyre online, pasi në të kundërt do të bëhej mbyllja e cdo portali të paregjistruar.
AKEP u kërkoi të gjitha mediave online të regjistrohen tek Qendra Kombëtare e Biznesit si cdo aktivitet tjetër që ka të ardhura dhe ka për detyrë të paguajë sigurime shoqërore të gazetarëve.
Vendimi erdhi pas prezantimit nga Rama të Paketës Antishpifje, e cila nis me legalizimin e portaleve. Kryeministri i cilëson si ‘fantazma’ pa adresë dhe pa emër, portalet e paregjistruara në Qendrën Kombëtare të Bizneseve.
NJOFTIMI I PLOTË
Pas angazhimit sensibilizues të AKEP në përputhje me kuadrin ligjor dhe rregullator në fuqi për raportimin dhe rinovimin e informacionit të dhënë gjatë regjistrimit të emrave të domaineve përfshirë publikimin e tyre,
AKEP informon median dhe publikun se të gjithë poseduesit, dhe/ose administruesit e domaineve kanë reaguar pozitivisht me përjashtim të ndonjë domaini të pa identifikueshëm.
Pas këtij hapi të parë formalizues, AKEP po përgatit fillimin e procedurës administrative të pezullimit, bllokimit apo mbylljes për domainet .al apo nëndomainet e tij të cilat nuk janë vetë-identifikuar.
AKEP në përputhje me përcaktimet e parashikuara në Rregulloren nr. 2/2008(e ndryshuar) “Për administrimin e domaineve .al dhe nëndomaineve .com.al, .org.al .net.al .edu.al .gov.al dhe mil.al”.,
siguron se do të jetë garant i ligjshmërisë në këtë fushë për të arritur standardet Evropiane të transparencës dhe se në vazhdimësi do të ndjekë me kujdes e seriozitet vijimin e
proceseve të rinovimit të informacioneve të detyrueshme për tu publikuar, pasi mos-përditësimi i tyre çon në procedurat e pezullimit, bllokimit apo mbylljes së emrave të domaineve.
Duke falenderuar të gjithë përdoruesit dhe poseduesit e domaineve për reagimin pozitiv në përmbushjen e detyrimeve ligjore dhe rregullatore,
AKEP mbetet i hapur për të bashkëpunuar me të gjithë institucionet, entet publike dhe strukturat e tjera të ngarkuara nga ligje të veçanta që ky proces të konkludohet me eficensë sa më të plotë dhe ti shërbejë sa më gjerë interesit publik.
Për më shumë informacion për poseduesit dhe përdoruesit e domaineve .al, lutemi komunikoni nëpërmjet adresës së e-mail domain@akep.al ose pranë Regjistruesit ku keni regjistruar domainin ose nëndomainin .al