Mbrëmjen e djeshme ka mbërritur në vendin tonë vetëm pjesa e parë e 22.230 dozave të vaksinës Pfizer që pritet të vijnë deri më 20 prill. Në Rinas kanë ardhur rreth 7 mijë doza.

Lajmin e bën me dije kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjete sociale, i cili shkruan se do të vazhdojnë për sasi të tjera ndërsa thekson se Shqipëria është mes vendeve më të shpejta në Europë për vaksinimin masiv.

“Sapo mbërriti në Rinas partia e parë e 22 mijë e 230 dozave PFIZER, që do të lëvrohen deri në 20 prill. Vazhdojmë me forcë e me këmbëngulje përpara, që t’i kthejmë Shqipërisë buzëqeshjen një orë e më parë, mes vendeve më të shpejta në Europë për vaksinimin masiv”, shkruan Rama.

Vaksinimi masiv i nisur prej 9 ditësh në vend do të vijojë me këto ritme pasi Rama ka bërë me dije se brenda 10 ditësh do të vijnë edhe 50 mijë vaksina ruse sputnik V. Në ditën e 9-të të vaksinimit masiv që ishte sot, në total janë kryer 13.826 vaksina, ndërsa që fillimi i fushatës së vaksinimit që ka nisur në datën 11 janar, janë vaksinuar 206,708 qytetarë.

Me nisjen e vaksinimit masiv Shqipëria ka shënuar rekord në injektimin e vaksinave për sa i përket dozave javore për 100 banorë duke lënë pas vendet më të mëdha të Evropës si Gjermania, Italia apo Franca dhe të gjitha vendet e rajonit, përfshirë edhe Serbinë.

Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se objektivi është arritja deri në 500 mijë vaksinime deri në muajin maj me qëllim që sezoni turistik të mos ketë kufizime në orare. Qeveria shqiptare ka siguruar deri më tani vaksinat Pfizer, AstraZeneca, ajo ruse Sputnik dhe ajo kineze Sinovac.

Aktualisht po vaksinohen të moshuarit +65 vjeç, gazetarët, operatorët, policët, ndërsa më pas do të nisë edhe për punonjësit e fasonerive dhe te stafi i strukturave akomoduese.

Artikulli paraprakPARASHIKIMI I MOTIT, DITA NIS ME DIELL POR GJATË PASDITES PRITEN NDRYSHIME TË MOTIT
Artikulli tjetërSA U PËRDOR INTERNETI NË PANDEMI, INSTAT: 20% PËR BLERJE, 95% E TË RINJVE RRINË ONLINE