Anija turke “Moliva” me kontejnerë mbërrin në radën e portit të Durrësit.
Ngarkesa që besohet se përmban mbetje nga hiri i oxhaqeve metalurgjike, ishte nisur nga Shqipëria në korrik të këtij viti me destinacion Tajlandën e cila e refuzoi atë pas alarmit të dhënë nga organizata joqeveritare ‘Rrjeti i Aksionit të Bazelit’ me seli në Seattle, të Shteteve të Bashkuara.
Nuk është e qartë se si do të veprohet në këtë rast nga autoritetet shqiptare, të cilat thanë se, përsa kohë çështja është nën hetim, i takon Prokurorisë të përcaktojë procedurat që do të duhet të ndiqen
Pas një odiseje më shumë se 3 mujore lundrimi në det, deri në Azinë e largët, kontejnerët me mbetjet industriale të cilat dyshohet se janë pluhur helmues, që del nga oxhaqet e fabrikave metalurgjike, mbërritën në orët e para të mëngjesit të sotëm, në portin e Durrësit, ngarkuar në një anije të nisur nga Gioia Tauro në Itali.
Pluhuri i dyshuar, i njohur me siglën EAF, përmban përqindje të lartë metalesh si plumbi dhe kromi dhe mbetje të tjera kimike që shkaktojnë kancer.
Ngarkesa u nis në muajin korrik nga porti shqiptar, si pjesë e një marrëveshjeje eksporti të kompanisë shqiptare “Sokolaj”, e cila i kishte blerë mbetjet nga kompania Kurum, prodhuese e çelikut dhe hekurit, në mjediset e ish kombinatit metalurgjik në Elbasan.