Pas një aksioni prej 4 orësh Sokol Mjacaj u arrestua nga policia. Autori i vrasjes së dy turistëve çek në Prekal të komunës Postribë u fsheh në fshatin Grudë e Re. Pas marrjes së informacionit për vendndodhjen forca të shumta policie, FNSH dhe RENEA zhvilluan kontrolle të rrepta në atë zonë. Aksioni nisi që nga fillimi i fshatit dhe gradualisht është krehur e gjithë zona.
Fillimisht u mendua se autori i krimit makabër ndodhej në shkollën e fshatit por pas kontrollit në atë godinë rezultoi se nuk ndodhej aty. Forcat e policisë pasi kanë arritur që të lokalizojnë vendin ku ndodhej kanë ndërhyrë në një banesë dykatëshe në fshatin Grudë e Re ku edhe u arrestua për ta transportuar më pas nën masa të rrepta sigurie në drejtorinë e policisë së Shkodrës. Aksioni ndiqej edhe nga drejtori i përgjithshëm i policisë Haki Çako dhe drejtori rajonal i Shkodrës Lorenc Panganika. Fillimisht një prej policëve, efektivi Pëllumb Shpati ka qenë shumë afër kapjes së autorit por ka arritur t’i shpëtojë duke kapërcyer një murë 2 metër të gjatë. Gabimisht polici ka plagosur veten teksa i është shkrehur arma. Mjacaj ka lënë në fshatin Grudë e Re këpucët duke lënë kështu gjurmë për policinë. Aksioni është zhvillua me shumë kujdes teksa mendohej se Sokol Mjacaj mbante me vete një pistoletë duke qenë i armatosur. Aksioni nisi rreth 12:30 dhe pas 3 orësh policia bllokoi të gjithë fshatin duke mos lenë të kalonin as makinat e as këmbësorët. Vetëm pas pak minutash rreth orës 15:35 në radiot e policisë u komunikua se forcat e FNSH tashmë kishin bërë arrestimin e autorit të vrasjeve të dy turistëve çek. Pas konfirmimit për arrestimin nën një siguri të madhe Sokol Mjacaj u transportua në komisariatin e Shkodrës. Mjacaj edhe pse nga fshati Lotaj i komunës Shalë u fsheh në grudë të re duke qenë se njihte mirë zonën dhe dyshohet se mund të ketë ndonjë bashkëpunëtor e po ashtu për shkak të fushave bujqësore të shumta ka tentuar të arratiset për t’i shpëtuar policisë por efektivët blu nuk e kanë lejuar duke bërë arrestimin e Sokol Mjacaj i cili i mori jetën dy ditë më parë dy turistëve çek, ngjarje e cila bëri një bujë të madhe.