Një shqiptare ulet për herë të parë në Parlamentin Europian. Ajo është Arba Kokalari, që jeton prej vitesh në Suedi. 32-vjeçarja shqiptare mori mbështetjen e suedezëve në zgjedhjet për parlamentin Europian që u zhvilluan ditën e diel. Kokalari arriti që të fitonte me partinë e Moderatëve suedezë, pjesë e Partisë Popullore.

“Unë kam hyrë në parlamentin evropian! Faleminderit për të gjithë ata që kanë luftuar për mua!” shkruante deputetja më e re e PE, Arba Kokalari në Facebook pas daljes së rezultateve. Partia ku bën pjesë edhe shqiptarja fitoi 17.6 % të votave të përkthyera në 4 deputetë në PE.

Por kush është ajo? Arba Kokalari lindi në Tiranë më 27 nëntor 1986 dhe është mbesa e Musine Kokalarit së diplomuar në “La Sapienza” të Romës në vitin 1941, por që u dënua dhe internua më vonë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës në Shqipëri dhe vdiq në 1983.

Arba Kokalari që 16-vjeçe nisi të merrej për herë të parë me politikë, ndërsa vitet e fundit ishte mjaft aktive në partinë e saj ku udhëhoqi rininë dhe departamentin e Kulturës në qytetin e Stokholmit, po ashtu edhe zëvendëse e kryetarit të shoqatës së EPP-së YEPP në maj 2015. Pas fitores së arritur 32-vjeçarja shqiptare ka marrë shumë urime nga shqiptarët në mbarë botën, por edhe politikanët në Tiranë.

Artikulli paraprakLEZHË, 35-VJEÇARI PLAGOSET ME ARMË ZJARRI NË NJË LOKAL
Artikulli tjetërMANJANI IRONIZON KEQ ZGJEDHJET EUROPIANE: VEÇ TË REFORMOHEN IHER ATA, PA PRET PUNA JONË