Pavarësisht vlerave të shumta turistike që i ofrohen çdo vizitori në hyrje të qytetit të Shkodrës, pirgje të shumta me mbetje qëndrojnë në dy anët e Urës së Bahçallëkut.
Një situatë kjo e cila vijon prej vitesh, por që masa nuk janë marrë. Ajo që bie në sy që në momentin e parë është mungesa e koshave për hedhjen e mbetjeve. Pavarësisht se në shumë raste koshat nuk kanë zgjidhur situatën, në këtë zonë mungojnë. Ndonjë kalimtar që takojmë shprehet i habitur për neglizhencën e trashëguar, ndërsa argumenti i tyre është se kjo situatë krijon një imazh negativ për qytetin.
Si pasojë e mospastrimit për një kohë të gjatë, mbetje të shumta kanë përfunduar në rrjedhën e lumit Buna, gjë e cila me kalimin e viteve është e destinuar të dëmtojë bimësinë dhe gjallesat. Duke qenë afër sezonit turistik, ku numri i turistëve ashtu si çdo vit është i lartë në Shkodër, kjo neglizhencë nga ana e bashkisë mund të dëmtojë imazhin e qytetit.
Jo vetëm në këtë zonë, por në të gjithë qytetin dhe njësitë administrative, Bashkia Shkodër ka shfaqur mangësi sa i përket menaxhimit të mbetjeve. Pavarësisht imazhit negativ dhe rrezikut potencial për epidemi të mundshme, disa njësi administrative akoma nuk mbulohen plotësisht nga shërbimi i pastrimit.