Menaxhimi i territorit nga bashkia Shkodër për mbetjet lë për të dëshiruar.
Kështu shprehet kryeinspektori i inspektoriatit të mjedisit Edmond Tërthorja pas gjobës prej 5 milionë lekësh të vjetër që ka vendosur për kryetaren e bashkisë Voltana Ademi për mosmenaxhim të mbeturinave. Tëthorja shprehet se gjoba është vendosur në limitet e afateve ligjore. Pak ditë më parë kryeministri Rama publikoi një video duke treguar ndotjen e Shkodrës në disa vende. Kryeinspektori Tërthorja thotë se gjoba për kryebashkiaken s’ka lidhje me videon e kreut të qeverisë. Gjoba e inspektoriatit nuk është as politike ndërsa bashkia Shkodër s’duhet të ndjehet e diskriminuar për gjobën sepse është landifili i Bushatit për depozitim të mbetjeve. Kjo është gjoba e dytë e Inspektoriatit të Mjedisit sepse të parën e ka marrë në vitin 2014 kryebashkiaku i mëparshëm Lorenc Luka për t’u pasuar nga një tjetër ndëshkim që vjen për kryebashkiaken Ademi për shkak të ndotjes në territorin që administron.