Mbeturinat kudo rreth e qark vazhdojnë që të pushtojnë territorin e ri të bashkisë Shkodër që në total përbëhet nga 11 njësi administrative. Në një prej zonave të Rrethinave kanalet në vend që të shërbejnë për vaditjen apo kullimin e ujit janë kthyer në vendgrumbullime të mbeturinave. Një sasi e e konsiderueshme mbetjesh është kthyer në një shqetësim serioz për gjithë banorët e asaj zone. Këto grumbuj mbeturinash ndodhen në rrugën e cila të çon në fushën ku ekipi i Vllaznisë bën stërvitjet.

Përveçse prej shumë vitesh e paasfaltuar, tashmë jo vetëm skuadra kuqeblu por edhe me qindra persona që përshkohen aty ndeshen me këtë panoramë aspak normale. Për të mos mjaftuar persona të papërgjegjshëm jo vetëm se i hedhin aty mbetjet por herë pas here edhe i djegin. Në këtë mënyrë dëmet mjedisore që shkaktohen janë të konsiderueshme. Nga sa mësohet fëmijët nga zona të ndryshme por edhe persona me gjendje ekonomike jo të mirë vijnë aty për të mbledhur materiale të ndryshme e më pas për t’i shitur si e vetmja mënyrë për të nxjerrë jetesën. Këta persona që nuk janë të pakët janë të rrezikuar drejtpërdrejtë nga sëmundje të ndryshme. Në këtë pjesë që është e tejmbushur me mbeturina duhet një ndërhyrje urgjente për t’i pastruar sepse në të kundërt kjo kastastrofë mjedisore vetëm sa do të vijë e zgjerohet. Natyrisht që me territorin e ri bashkia Shkodër nuk do ta ketë aspak të lehtë sidomos menaxhimin e mbetjeve, një temë e shumëdiskutuar edhe nga vetë kryetarja e bashkisë Voltana Ademi. Në disa ish-komuna ka nisur pastrimi për momentin por disa të tjera si njësia Rrethina çështja e menaxhimit të mbetjeve prej kohësh tashmë është kthyer në një fenomen problematik. Nga ana tjetër ata që dëmtohen drejtpërdrejtë janë qytetarët të cilët jo vetëm se nuk marrin shërbimin e duhur por edhe kanë paguar rregullisht taksat qoftë në ish-komunat por edhe në bashkinë e re.

Artikulli paraprakPD, KOPLIKU AKUZON DAR PËR PUNËSIMIN E 50 MËSUESVE
Artikulli tjetërADA, PRESIDENTI PJETRI: KËTË SEZON SYNOJMË MESIN E TABELËS