Më shumë se 1 miliardë llogari janë vjedhur nga një sulm kibernetik që daton në 2013 –ën ndaj Yahoo.
Lajmi u bë i ditur nga vetë gjiganti i teknologjisë, që tha se ky është një sulm i veçuar nga ai i bërë publik në Shtator, kur kompania deklaroi se rreth 500 milionë llogari ishin vjedhur në 2014 –ën. Sipas Yahoo, hakerat vodhën numra telefoni, fjalëkalime e adresa email –i, por jo të dhëna bankare apo të pagesave. Kompania, e cila është në proces blerje nga Verizon, deklaroi se po bashkëpunon plotësisht me policinë dhe autoritetet. Kur Yahoo bëri publike në Shtator vjedhjen e 2014 –ës, kompania tha se informacionet ishin vjedhur nga një aktor i sponsorizuar nga shteti. Megjithatë Yahoo nuk tha se cili ishte shteti përgjegjës pas këtij sulmi masiv. Në të përfshihej vjedhja e informacioneve private, emra dhe email, ashtu sikurse edhe pyetje të sigurisë dhe përgjigjet. Vjedhja ndodhi në 2014 –ën dhe Yahoo ka qenë nën presion për faktin se përse iu desh kaq shumë kohë për ta bërë publik këtë sulm. Tashmë, vjedhja e 1 miliardë llogarive të tjera vë në pikëpyetje propozimin për blerjen e Yahoo nga Verizon, me një shifër prej 4.8 miliardë dollarësh dhe nëse gjiganti amerikan i telekomunikacionit do të përpiqet ta ndryshojë apo ta braktisë ofertën e tij. Nëse kjo vjedhje do të shkaktojë reagim të ashpër të përdoruesëve kundrejt Yahoo, shërbimet e kësaj kompanie nuk do të jenë më aq të vlefshme për Verizon. Në një deklaratë, kjo e fundit tha se do të vlerësonte situatën, teksa Yahoo heton dhe do të rishikonte zhvillimet e reja përpara se të merrte çdo vendim përfundimtar. Yahoo tha të mërkurën se përdoruesit e saj duhet të ndryshojnë fjalëkalimet dhe pyetjet e sigurisë.