Ministrja e Arsimit dhe e Sportit Ogerta Manastirliu komunikoi se tashmë 14 mijë libra janë nisur drejt diasporës, për të mësuar shqip fëmijët tanë që jetojnë jashtë vendit. Manastirliu theksoi se ky është viti i gjuhës shqipe. Ajo tha se MAS tashmë ka vendosur lidhje me shoqata në vende të ndryshme europiane.
Ogerta Manastirliu: Përpara nisjes së vitit shkollor, ne po përgatitemi që të shpërndajmë tekste shqip për fëmijët e diasporës, kudo që ata jetojnë. Të gjithë mësuesit e diasporës janë tashmë gati për të mësuar fëmijët tanë. E kemi quajtur vitin e gjuhës shqipe. Kemi qenë të gjithë të angazhuar që të ecim sa më shpejt me çfarë nevojitet përsa i përket kompletimit me tekste të niveleve të ndryshme në gjuhën shqipe, ku Ministria e Arsimit dhe Sportit menaxhon të gjitha aspektet, deri në dërgimin e teksteve shqip. Kemi vendosur lidhje me shoqata dhe me programe që po zhvillojmë siç është programi “Mësues për Shqipërinë”.