Gjatë tre muajve të parë të vitit 2024, mbi 1,7 milionë turistë të huaj kanë vizituar Shqipërinë ose 59 % më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023, thuhet në një postim të ministres së Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.
Në muajin mars fluksi u numëruan gati 735 mijë vizitorësh të huaj ose 91% më shumë krahasuar me marsin e vitit të shkuar.
“Mbi 1,7 milionë turistë të huaj na kanë vizituar gjatë 3 muajve të parë të 2024-ës. 734 mijë vizitorë të huaj erdhën në Shqipëri gjatë muajit Mars i cili sapo shenjoi një standard të ri në shifra e duhet t’i përgjigjemi me të njëjtin standard në mikpritje”, njoftoi ministrja Kumbaro.
Tani sfidë nuk janë numrat, por garantimi i standardeve, cilësisë dhe turizmi elitar, nënvizoi dje ministrja Kumbaro në panairin Ndërkombëtar të Turizmit.
Javën e ardhshme pritet që të jetë takimi i 70-të i Komisionit për Evropën të Organizatës Botërore të Turizmit dhe Konferenca e Investimeve gjatë së cilës do të prezantohet udhëzuesi “Tourism Doing Business: Investing in Albania”.
Kjo është hera e parë që Shqipëria pret zyrtarisht një event të Organizatës Botërore të Turizmit.