Policia italiane ka gjetur një çantë me rreth 24 kg kokainë në bregdetin e ishullit të Sicilisë, në territorin shkëmbor të komunës së Pantellerisë, në provincën e Trapanit e në zonën e quajtur Martingana e cila mund të arrihet vetëm përmes rrugës detare.
Canta ishte në material hermetik, i padepërtueshëm nga uji, dh e lidhur me litar në shkëmb në pritje që të tërhiqej nga korrierët e drogës.
Kokaina ishte e konfeksionuar në 20 pako e përllogaritet që vlera minimale e saj në treg të jetë rreth 2 milionë euro.
Kampionët e kokainës së sekuestruar janë dërguar në laboratorët e policisë shkencore për të analizuar nivelin e pastërtisë së saj.
Sekuestrimi i kësaj sasie të madhe kokaine u bë gjatë një operacioni kontrolli në rrugë detare në brigjet e Pantellerisë. Sigurisht trupat e policisë italiane kanë mbërritur para se korrierët e drogës të tërheqin sasinë e kokainës së fshehur.
Kokaina mendohet të ketë mbërritur nga Afrika e Veriut për t’u shpërndarë më pas në tregun italian dhe evropian.Autoritetet italiane kanë nisur një proces hetimor.