Bilanci – Mbi 2000 të pastrehë dhe qyteza të rrënuara nga tërmeti në Itali
Asnjë viktimë, rreth 20 të plagosur e qyteza të tëra të shkatërruara është deri më tani bilanci i tërmetit të shkallës 6.5 Richter të regjistruar në orën 7.41 minuta të mëngjesit të sotëm në Italinë Qendrore. Konsiderohet ky një nga lëkundjet më të fortat të tërmetit që prej vitit 1980, ku tërmetit i Irpinias i shkallës 6.8 shënoi mbi 2900 viktima. Epiqendra e kësaj lëkudje të fortë sizmike në thellësi 10 km nën tokë ka qënë territori përreth qytetit të Norcias duke përfshirë qyteza të tëra në rajonin e Umbrias, Marke e Lacio. Qytezat Norcia, Castel Sant Angelo sul Nero, Ussita, Castellucio di Norcia, Visso, Amatrice etj, janë mjaft të dëmtuara duke u konsideruar zona të pabanueshme. Mbi 2000 përllogaritet numri i banorëve të mbetur pa strehë që gjatë këtyre orëve po sistemohen në kampet e emergjencës. Zyra e mbrojtjes civile informon se numri i të pastrehëve pritet të shkojë tek 100 mijë persona. Lëkundja e fortë sizmike e ditës së sotme ëshë shoqëruar me mbi 15 lëkundje të tjera të shkallës mbi 4 ballë e rreth 300 të shkallës 2 e 3 ballë. Mjaft rrugë janë mbyllur për shkak të shembjes së dheut, çarjes në thellësi e përmbytjes nga dalja e ujit të lumenjve në këtë zonë. Tërmeti i sotëm është ndjerë fortësisht në kryeqytetin italian Romë, ku si pasojë për gjatë gjithë paradites është mbyllur linja e metrosë A e B. Dëme serioze nga lëkundja sizmike janë shënuar në katedralen Shën Pali në Romë, në disa ndërtesa historike e banesa private. Kryeministri italian Matteo Renzi në një konferencë shtypi të mbajtur gjatë ditës së sotme ka deklaruar se “do të ndërtojmë gjithçka, Gjatë ditës së nesërme do të mblidhet Këshilli i Ministrave me Presidentet e katër rajoneve të dëmtuara nga tërmetit, për të marrë vendimet e duhura në përballimin e kësaj situate emergjence.”