Qeveria italiane më në fund ka zbuluar “kartat” mbi barrën reale financiare të qendrave të emigrantëve që do të ndërtohen në Shqipëri, nëse parlamenti kapërcen ngërçin e shkaktuar nga pezullimi i ratifikimit të marrëveshjes nga Gjykata Kushtetuese shqiptare.

Siç raporton La Repubblica, “kostot i tejkalojnë parashikimet dhe tejkalojnë madje dhe shifrën “monstruoze” prej 650 milionë euro në pesë vjet”

“Në rreth 90 milionë shpenzime të detajuara tashmë në draftin e miratuar nga Këshilli i Ministrave të Italisë i shtohet tani edhe vula e Ministrisë së Ekonomisë për përcaktimin e faturës: 89 milionë është fatura për vitin 2024 dhe 118 milionë në vit do të jetë fatura nga viti 2025 deri në vitin 2028” shkruan La Repubblica.

Shpenzimet që do të mbulohen nga shteti italian janë nga më të ndryshmet: nga shpenzimet për përdorimin e forcave të armatosura dhe policisë për sigurinë e jashtme të qendrave deri te kostot e asistencës spitalore; barna, vaksina, pajisje mjekësore etj, por edhe para për automjetet, karburantet, dritat, ujin si dhe faturimet për procedurat ligjore. Italia do të jetë gjithashtu përgjegjëse për koston e ushqimit dhe akomodimit.

Kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni e nënshkruan më 6 nëntor në Romë marrëveshjen për ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave për strehimin e emigrantëve.

Sipas marrëveshjes për emigrantët porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë në muaj.
Kohëzgjatja e marrëveshjes do jetë 5 vjet, por mund të shtyhet automatikisht edhe me 5 vite të tjera nëse ndonjëra nga palët nuk komunikon të paktën gjashtë muaj përpara afatit të përfundimit qëllimin e saj për të mos e rinovuar këtë protokoll.

Artikulli paraprakSUBVENCIONIMI PËR PANELE DIELLORE, SË SHPEJTI HAPET FAZA E DYTË E APLIKIMEVE! PËRFITOJNË 2 MIJË FAMILJE
Artikulli tjetërDETAJE TË REJA NGA PLAGOSJA NË SHKODËR, I PLAGOSURI DHE AUTORI KANË PASUR NJË LIDHJE FAMILARE MES TYRE