Raporti më i fundit zyrtar, i Ministrisë së Brendshme Italiane konfirmon se deri më 31 tetor 2021 janë 1860 të burgosur shqiptarë, mes të cilëve 19 femra, që vuajnë dënimin në burgjet italiane.

Ndër të burgosurit e huaj në Itali, shqiptarët kanë numrin më të lartë pas atyre me kombësi marokene (3401) e rumune (2045), dhe renditen të tretët në listën e ndarjes sipas vend origjinës së tyre.

Shqiptarët e burgosur përbëjnë 10.7% të numrit të përgjithëshëm të burgosurve jo italianë e ky numër është në reduktim në krahasim me të dhënat e gjashtëmujorit të parë të vitit 2021 kur deri në 30 qershor 2021 në burgjet italiane regjistroheshin 1931 të burgosur shqiptarë.

Numri më i lartë i të burgosurve shqiptarë ndodhen në burgjet e rajoneve Lombardi, Lazio, Toscana, Piemonte, Veneto e Puglia, që konfirmon dhe nivelin më të lartë të kriminalitetin shqiptar në këto territore.

Sipas raportit të Ministrisë italiane, janë dhe 68 shtetas kosovarë që vuajnë dënimin në sitemin e burgjeve italiane, prej tyre dy femra. Numri më i lartë i tyre ndodhet në burgjet e rajoneve Lombardi e Veneto

Të dhënat e autoriteteve italiane konfirmojnë se janë gjithsej 54 307 shtetas që vuajnë dënimin në burgjet italiane, prej të cilëve 17 315 janë shtetas të huaj.

Këto të dhëna zyrtare kanë vënë në alarm Garantin Kombëtar për të drejtat e personave të privuar nga liria personale, Mauro Palma i cili sinjalizon se ditë pas dite po verifikohet një rritje e numrit të të burgosurve e një mbipopullim i burgjeve italiane jashtë kapacitetit të tyre mbajtës që përgjithësisht është 50 mijë vende.

Në fazën më akute të emegjencës pandemike, burgjet italiane regjistruan një reduktim të numrit të tyre e shifrat e fundit sinjalizojnë se po rikthehen në tendencën e mbipopullimit e që sipas Garantit Mbrojtës të të burgosurve, “duhet të jetë nën vëmëndjen e autoriteteve përgjegjëse.”

Artikulli paraprakPËR 30 VJET STAFI I SPITALIT PIU UJIN E TUALETIT PA E DITUR
Artikulli tjetërRRITJA EKONOMIKE NË RAJON, MALI I ZI E PARA, SHQIPËRIA E DYTA