Ditën e sotme (5 shkurt) grupi parlamentar i Partisë Socialiste zhvilloi një mbledhje para seancës plenare të Kuvendit që pritet të mbahet pasditen e kësaj të hëne. Kreu i grupit parlamentar socialist, Bledi Çuçi bëri një përbledhje të agjendës parlamentare për javën e re dhe kërkoi pjesëmarrjen e deputetëve ditën e enjte (8 shkurt) në seancën ku pritet të votohet marrëveshja me Italinë për strehimin e emigrantëve afrikanë në Gjadër të Lezhës.
Ndërsa sa i takon amnistisë penale, Çuçi tha se nëse do të arrihet dakordësi me opozitën, edhe ky ligj do të përfshihet në seancën e ditës së enjte.
Mes të tjerash, ai shprehu dakordësi në parim për të zgjeruar bazën e përfituesve prej amnistisë ashtu sikundër ka propozuar edhe opozita. Shqetësim për miratimin pa vonesa të këtij ligji shprehu gjatë mbledhjes edhe Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.