Mbledhja e grupit te PD – Basha: Nuk do ketë ndarje pushteti dhe as përfshirje në qeverisje
Mbledhjen e parë të grupit të ri parlamentar, kryetari i PD, Lulzim Basha e nisi me një mesazh të qartë dhe të prerë. Forca politike që ai drejton nuk do të jetë e përfshirë në qeverisje dhe nuk do të ketë ndarje pushtetesh. Basha: Dua ta filloj me një mesazh të qartë: qëndrimi ynë është i qartë. Ne jemi opozita dhe do të bëjmë opozitën deri kur shqiptarët të na besojnë me votën drejtimin e vendit. Nuk mund të ketë e nuk do të ketë asnjë ndarje pushteti dhe asnjëlloj përfshirje të PD në qeverisje në asnjë rrethanë dhe në asnjë rast. opozita ka një rol të madh në cdo shoqëri demokratike dhe një opozitë e fortë është më shumë se kurrë një domosdoshmëri e madhe për vendin. Basha renditi tre sfidat kryesore të PD në keto 4 vite opozitë, ndërsa tha se do jetë jo vetëm alternativë politike, por edhe alternativa morale. Basha: Qëllimi i vetëm i yni është ta përmbushim me përkushtim dhe dinjitet këtë mision në interes të njerëzve, në interes të vendit tonë. Kjo është një kohë kritike për Shqipërinë. Do të përcaktohet nëse Shqipëria do ti rikthehet integrimit europian, demokracisë dhe shtetit ligjor, po do të zhytet në krimin e organizuar në bashkëpunim me elitën e korruptuar të vendit. Ne kemi tre sfida të rëndësishme. Na takon ne PD dhe deputetëve të saj që të bëhemi pengesë që vendi mos reshqasë në kaosin e autokracisë dhe kriminalitetit. Droga, krimi, korrupsioni po e vdesin cdo mundësi për zhvillim në Shqipëri dhe po izolojnë vendin. Na takon ne të ndryshojmë politiken dhe ti ofrojmë shqiptarëve alternativën e lirisë dhe demokracisë dhe do të reformojmë dhe modernizojmë PD që do ti paraprijë reformimit të sistemit politik që do fillojë nga sistemi zgjedhor. Na takon ne që të jemi jo vetëm alternativë politike, por edhe alternativa morale.