Staiudmi “Loro Boriçi” për momentin është impianti më modern në Shqipëri, por gjithashtu edhe më i kushtueshmi.

Të mendosh shumën që është shpenzuar, fare mirë mund të çohet ndër mend ndërtimi i një impianti nga fillimi me një shumë të tillë. Në mbledhjen e fundit të Komitetit Ekzekutiv në FSHF është diskutuar në lidhje me stadiumin e ri dhe pjesën e mbetur nga projekti i rikonstruksionit. Në dokumentet që janë diskutuar në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv, është saktësuar edhe shuma e përgjithshme që është shpenzuar deri tani. Bëhet fjalë për 2.1 miliardë lekë (të rinj). Nga kjo shifër, 600 milionë janë akorduar nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe pjesa tjetër, 1.5 miliardë, është akorduar nga Qeveria Shqiptare. Në një dokument të Komitetit Ekzekutiv është bërë edhe një përllogaritje me fondin shtesë që nevojitet për të përfunduar të gjithë projektin e rikonstruksionit me çdo detaj. Ka mbetur pista e tartanit, e cila kushton rreth 350 mijë euro, si dhe mbyllja e pjesës së poshtme të strehës së tribunës qendrore që kërkon rreth 260 mijë euro investim. Po ashtu janë edhe disa punime të tjera brenda dhomave që nuk kanë përfunduar ende ashtu siç edhe palestrat për ekipet e “Sport Klub Vllaznia” të cilat ende nuk janë paisur përveç palestrës së boksit. Po ashtu një pjesë e shtyllave dhe mureve të stadiumit janë lënë siç kanë qenë duke mos patur imazhin që i takon një stadiumit të tillë. Kjo do të thotë se do të duhen ende para dhe ende punë për ta përfunduar impiantin e ri ku kombëtarja luan me 5 shtator ndaj Maqedonisë. Të gjitha këto, sipas dokumentit të diskutuar në Komitetin Ekzekutiv të FSHF-së.

Artikulli paraprakKUSH MBAN PËRGJEGJËSI PËR EFEKTIVËT E VRARË?!
Artikulli tjetërVASILI: NUK KA MOSMARRËVESHJE MES METËS E HAXHINASTOS