Mbledhja në prefekturën e qarkut Shkodër e Task-Forcës për luftën kundër kultivimit të drogës nuk ka shkuar shumë e qetë.

Ata që kanë shkëmbyer më shumë diskutime janë vetë prefekti Paulin Radovani dhe nënkryetari i bashkisë Shkodër Arben Gjuraj. Prefekti Radovani i është drejtuar nënkryetarit Gjuraj duke i thënë se kërkon më shumë informacion nga ana e bashkisë në lidhje me zonat ku mblidhet cannabis, më shumë përgjegjësi nga kryepleqtë dhe një koordinim më të mirë nga ana e bashkisë. Nëse e keni problem të sillni informacion është shprehur prefekti Radovani sipas burimeve nga mbledhja atëherë sillni letra anonime se jua pranojmë dhe mos flisni vetëm në përgjithësi por të jeni më preçiz.

Nga ana tjetër nënkryetari Gjuraj i ka kërkuar që të mos i ndërpritet fjala nga prefekti ndërsa është shprehur se bashkia nuk ka informacionin e duhur në lidhje me parcelat me cannabis për shkak se pronat janë pa pronarë. “Kur është puna për të zënë një tokë i dalin për zot 16 vetë”-është kundërpërgjigjur prefekti, bisedë e cila mes tyre ka patur edhe tone ironie. Nga e tij nënkryetari Gjuraj ka deklaruar se aktualisht janë 20 fshtra në bashkinë Shkodër pa kryepleqë sepse shumë prej tyre s’kanë pranuar të marrin këtë detyrë pikërisht për shkak të procedimeve penale që po bën policia në çdo vend ku konstatohet cannabis edhe pse janë prona publike ndërsa shumë të tjerë rrezikojnë të dorëhiqen bashkë me ndonjë administrator të njësive.

Pavarësisht se banorët e dinë se e kujt është toka, ligjërisht shumë prej atyre tokave ku gjenden parcela me cannabis janë pa pronarë, problem ky i konstatuar nga të gjithë. Kërkohet një ligj i ri për të paisur pronarët me dokumentacion dhe një proces më i shpejtë i regjistrimit të tokave në hipotekë.

Nga ana tjetër disa prej drejtorëve rajonalë kanë kërkuar që të mos ndëshkohen të vegjlit, ata që s’kanë asnjë mbrojtje. Çdo inspektor që do firmosë se ka kontrolluar një zonë të caktuar në rast se aty asgjesohet drogë atëherë është e drejtë të mbajnë përgjegjësi në të kundërt jo. Në fund të gjithë kanë pranuar të bashkëpunojmë ndërsa sa herë që mblidhen drejtuesit e institucioneve ankohen për mungesë koordinimi e nga ana tjetër çdo ditë policia asgjesohen mijëra rrënjë cannabis sattiva.

Artikulli paraprakMEDRESJEA E SHKODRËS, SHKRUHET HISTORIA E VITEVE 2000
Artikulli tjetërJASHTË ÇDO AFATI, VONESA E PUNIMEVE NË XHABIJE