Është mbledhur paraditen e kësaj të mërkure Asambleja e Partisë Socialiste, në prag të Kongresit që do të mbahet më vonë gjatë marsit.

Në fjalën e tij, kryetari Edi Rama ka deklaruar se, PS ka arritur rezultate të konsiderueshme në këto vite qeverisje, por në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ajo, sipas tij, duhet të marrë pjesë tërësisht e reformuar. “Në këto 30 muaj kemi bërë shumë për gjeneratën e sotme dhe gjeneratën pasardhëse. Por për zgjedhjet e 2017-s na duhet një Parti Socialiste e reformuar dhe e transformuar rrënjësisht në përbërjen sociale”, ka thënë Rama. Ai është shprehur se, PS është e vetmja forcë udhëheqëse e këtij vendi dhe reformat e ndërmarra prej saj i kanë hapur Shqipërisë një rrugë të re. “Por disa parti dhe grupe interesi ilegjitime po mundohen të pengojnë me çdo mënyrë këtë rrugë të re. Por ne do vijojmë reformat për Shqipërinë duke e transformuar Partinë Socialiste dhe dinamikën e saj të veprimit”, ka thënë Rama. Në këtë drejtim, shefi i qeverisë ka nënvizuar se, do të punohet më shumë për një angazhim më të madh dhe më harmonik mes deputetëve dhe të zgjedhurve vendorë, për një lexim më të mirë të problemeve të territorit dhe një monitorim më cilësor të tij. “Kemi arritur rezultate inkurajuese që nuk tregojnë se sa shumë është bërë në këto aspekte, por që përbëjnë një shtysë për ta çuar përpara frymën e nisur”, ka shtuar Rama.

Artikulli paraprakRIKTHEHEN RADHËT PËR KARTAT E SHËNDETIT
Artikulli tjetërPROTESTË NË 8 MARS, BANORËT E “MARK LULAJT” KËRKOJNË INVESTIME