Mbrojtja e fëmijëve, gjobë mjekëve e mësuesve që nuk raportojnë dhunën
Mjekët, infermierët dhe mësuesit janë të parët që do të gjobiten deri në pezullim licence, nëse nuk raportojnë dhunën ndaj fëmijëve. Raportimi i dhunës do të jetë detyrim ligjor edhe për bashkitë, që me ndarjen e re territoriale do të duhet të punësojnë një punonjës për çdo 3.000 banorë. “Detyrimi për të raportuar çdo rast dhune apo abuzimi ndaj fëmijëve, për të gjithë profesionistët që punojnë me fëmijët. Përpos sanksioneve për këta profesionistë, ligji parashikon edhe sërë sanksionesh për vet institucionet. Bëhet fjalë për gjoba ndaj tyre, deri në pezullim licence”, tha Ina Verzivolli, kryetare e Agjencisë për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve. Sipas projektligjit të ri për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, prindit që vë në rrezik fëmijën i pezullohet e drejta e prindërimit deri në vendimin e gjykatës. Sipas raportit të vitit 2015, njësitë për mbrojtjen e fëmijëve ekzistojnë në 50% të territorit, por mungojnë punonjësit. “Do të ketë një sistem akreditimi, që do të duhet të ngrihet, që do të jetë në linjë edhe me urdhrin e ri të punonjësve socialë. Një risi që sjell ligji në këtë rast është edhe procesi i ‘vetting’-ut, apo filtrimi që do të bëhet për këta punonjës”, tha më tej Ina Verzivolli. Një tjetër ndryshim që vlen të theksohet është përfshirja e kategorisë së fëmijëve në situatë rruge, si kategori e veçantë fëmijësh në nevojë për mbrojtje.