Mbrojtja e të dhënave personale në shkollat e vendit nuk respektohet dhe nuk zbatohet sipas ligjit në fuqi, kjo sipas një studimi të bërë nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit. Gjetjet e këtij rekomandimi unifikues për sektorin e arsimit të mesëm të lartë i cili ka si qëllim pasqyrimin e situatës aktuale mbi respektimin e legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale u prezantua në një takim në shkollën e mesme “28 Nëntori” në Shkodër.
Ky takim u zhvillua me prezencën e OSBE në Shqipëri. Mauro Puzzo, drejtues për të drejtat e njeriut pranë OSBE u shpreh se fusha e arsimit nuk duhet të përjashtohet nga mbrojtja e të dhënave personale.
Drejtorja në zyrën e Komisionerit për Informim Pjerina Mema tregoi se cilat janë disa prej pikave që shkollat nuk i zbatojnë sa i përket mbrojtjes për të dhënat personale.
Këto rekomandime janë një obligim për shkollat që duhen plotësuar sa më parë në mënyrë që nxënësit dhe mësuesit të jenë sa më të sigurtë, u shpreh drejtori rajonal i arsimit në Lezhë Hasan Muça.
Rekomandimi me gjetjet në shkollat e vendit për të dhënat personale synon që të ndihmojë nxënësit dhe mësuesit për të kuptuar më shumë mbi kujdesin për mbrojtjen e privatësisë, ekspozimin e jetës private dhe rëndësinë e sigurisë online si dhe t’i nxisë për zbatimin e ligjit që pritet të përmirësohet sipas legjislacionit të BE.