Mesatarisht gjatë muajit prill, 33 biznese kanë bërë kërkesë çdo ditë për të pezulluar aktivitetin e tyre. Sipas të dhënave që Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve përditëson çdo ditë, vetëm gjatë muajit Prill kaluan në status pasiv 1000 biznese në të gjithë vendin, një pjesë e të cilave edhe në Shkodër. Prej fillimit të vitit dhe deri më tani kanë kaluar në statusin pasiv 4,222 biznese me një rritje prej 7% në krahasim me të njëjtën periudhë me një vit më parë.

Numri më i madh i bizneseve të mbyllura është shënuar gjatë janarit, ku bënë kërkesë për të kaluar në gjendje pasive rreth 1400 biznese, 12% më shumë se në janarin e 2018-s. Megjithatë në raport me një vit më parë ritmi i rritjes së bizneseve që kalojnë në statusin pasiv është ngadalësuar. Me ndryshimin e procedurës tatimore, bizneset nuk mund të kalojnë në statusin pasiv pa mbyllur të gjitha detyrimet me Tatimet.

Shumë tatimpagues për t’iu shmangur detyrimeve tatimore, vendosnin të kalonin subjektin në statusin pasiv. Pezullimi ishte pa asnjë kusht. Duke pezulluar aktivitetin, ato shmangin pagesën në kohë të detyrimit tatimor. Tatimpaguesit janë të detyruar që para se të kalojnë në statusin pasiv të paguajnë detyrimet.

Për periudhën që biznesi qëndron në regjistrin pasiv, tatimpaguesi nuk paraqet deklarata periodike tatimore dhe ndaj tij nuk llogariten gjoba për mosdeklarim. Në regjistrin e subjekteve pasive janë rreth 120 mijë biznese. Vetëm gjatë vitit 2018 kaluan në regjistrin pasiv 15,249 biznese, nga 9,419 që kishin kaluar në 2017-ën, pra rreth 60% më shumë.

Sa herë që kryejnë një transaksion, bizneset duhet të verifikojnë nëse subjekti që faturojnë është me status aktiv, pasi nëse rezulton se është me status pasiv, ata gjobiten me 10 mijë lekë. Që nga janari, ky verifikim është shtuar në një punë shtesë për ekonomistët e subjekteve, që janë ankuar shpesh se pse duhet të penalizohen subjektet aktive për këto faturime.

Tashmë pritet që numri i bizneseve që bëjnë kërkesë për të pezulluar aktivitetin e tyre deri në fund të këtij viti të shtohet edhe më shumë.

Artikulli paraprakVETTINGU NË MAJ DO TË NIS ME FUAT VJERDHËN
Artikulli tjetërPROTESTA SHKODËR, OPOZITA BLLOKON RRUGËN PËR DY ORË