Festivali i 61-të mbarëkombëtar për fëmijë u përmbyll me natën finale të zhvilluar në teatrin “Migjeni” në Shkodër. Këngëtarja Nikol Çabeli me këngën “Coco Im” u shpall fituese e këtij festivali me votat e vetë fëmijëve pjesëmarrës.

Fituesja e festivalit të fëmijëve shprehet e lumtur për këtë çmim por edhe për mesazhin që përmban kënga lidhur me dashurinë për kafshët duke qenë se i kushtohet një qeni që nuk jeton më.

Kënga fituese mban kompozimin dhe tekstin e Eriona Rushitit e cila mori edhe çmimin simbolik “Kujtim Alija” në nder të dirigjentit i cili dha gjithçka për këtë festival dhe që nuk jeton më.

Drejtori i festivalit të fëmijëve Ermir Zoga fton gjithë kompozitorët që vitin e ardhshëm të sjellin këngët e tyre.

Ndërkohë çmimin e dytë e mori kënga “Mama” e kënduar nga Emili Dervishi e cila mori edhe çmimin e pare si interpretuesja më e mirë. Çmimin e tretë e fitoi kënga “Super Star” e kënduar nga Gedis Germani ndërsa çmimin e dytë si interpretues shkoi për këngën fituese “Coco Im” dhe çmimi i tretë si interpretues për këngëtaren Livia Lumçi. Festivali i 61-të i këngës për fëmijë u zhvillua për tri netë me radhë teksa konkuruan 20 këngë.

Artikulli paraprakDIPLOMOHEN STUDENTËT E EKONOMIKUT
Artikulli tjetërVLLAZNIA KTHEHET NË SHKODËR