Festivali mbarëkombëtar i humorit u përmbyll me natën e pestë duke bërë bashkë disa prej yjeve të estradës shqiptare të cilët u duartrokitën nga publiku i pranishëm në teatrin “Migjeni”.
“Mjeshtrat e Mëdhenj”, Muharrem Hoxha, i njohur si Rrema i Durrësit dhe aktorja Drande Xhai shpresojnë që këto mbrëmje të humorit të kenë një vazhdimësi vitet e ardhshme në prag të festave të fundvitit.
Pjesë e rëndësishme e festivali të humorit në këto 5 netë ishin edhe këngët e disa prej zërave më të mirë. Drejtuesi artistik Ilir Zoga shprehet se ishte një buqetë e bukur artistike për publikun.
Kryetari i bashkisë Shkodër Benet Beci përshëndeti dhe falenderoi artistët dhe garantoi se tashmë ky event do të jetë një traditë e përvitshme për Shkodrën.
Për 5 netë me radhë ne teatrin “Migjeni” emrat më të mëdhenj të humorit shqiptar, bashkë me aktorët e rinj që premtojnë për të ardhmen, artistët e Stand Up Comedy, bisedat rreth humorit me emra të përzgjedhur, këngëtarët dhe video filmimet sollën shumë emocione dhe rikthyen pas shumë vitesh mbrëmjet e munguara të humorit e këngës.