Shqipëria dhe Izraeli kanë përmbyllur marrëveshjen për linjën direkte ajrore Tiranë-Tel Aviv. Lajmin e mirë e dha Ministri i Turizmit, Blendi Klosi, gjatë takimit me homologun e tij izraelit në Tel Aviv. Linja do të nisë të funksionojë në 13 Prill të këtij viti me frekuencë 2 herë në javë.
Klosi: “Pritshmëria është të disafishohet numri i turistëve izraelitë në Shqipëri, duke shkuar drejt 50 mijë vetë në vit.
Në destinacionet turistike të Shqipërisë, turistëve izraelitë do t’u ofrohet përveç të tjerave, edhe rrugëtimi historik i hebrenjve në Shqipëri, si vendi i rrallë në botë që numëron më shumë hebrenj në mbarim të Luftës së 2-të Botërore sesa në fillim të saj”.
Ministri Levin përshendeti nismën konkrete të bashkëpunimit mes dy vendeve, atë të lidhjes direkte të fluturimeve, si një mekanizëm që do të nxisë më tej shkëmbimet turistike. “Shqipëria dhe Izraeli dy vende në marrëdhënie të shkëlqyera.Është një miqësi e lindur në kohët e vështira të Luftës së Dytë, kur shqiptarët u bënë dera e mikpritjes së mijëra familjeve hebreje. Kjo miqësi po zhvillohet në rrafshin ekonomik”, tha ministri i Turizmit të Izraelit, duke shprehur interesin në rritjen e komunikimit të agjensive turistike mes dy vendeve, Shqipërisë dhe Izraelit.
Ministri Shqiptar i Turizmit, Blendi Klosi bëri një paraqitje të nismave të fundit të qeverisë shqiptare për nxitjen e investimeve në fushën e turizmit, në lehtësirat fiskale për ndërtimin e hoteleve dhe resorteve me 4 dhe 5 yjeve. Në përfundim, Klosi ftoi homologun izraelit për vizitë zyrtare në Shqipëri, ftesë të cilën Yariv Levin e mirëpriti me kënaqësi.