Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar numërimin e votave për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që u zhvilluan dje. Kështu shprehet zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka shtuar se rezultatet e deritanishme janë preliminare dhe se zyrtaret do të publikohen shumë shpejt. Në bazë të dhënave të publikuara në faqen e KQZ-së, pra nga numërimi i 95.88% e votave, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 197,966 vota ose 25,79%.

E dyta është LDK 192.300 ose përkthyer në përqindje 25,05%. Partia Demokratike e Kosovës është e treta dhe ka marrë 162.342 apo 21.15% të votave. Rezultatet preliminare nuk përfshijnë votat me kusht, votat me postë dhe votat e personave me nevoja të veçanta. Albin Kurti foli në orët e para të ditës së sotme si kryeministër i ri i Kosovës duke i bërë ftesë për koalicion Vjosa Osmanit nga LDK-ja. Kurti tha se ftesa do të zyrtarizohet paraditen e sotme.

“6 tetori i vitit 2019 e shënon fillimin e entuziazmit të tretë në vendin tonë e për popullin tonë. Entuziazmi i parë ishte ai i çlirimit të vitit 1999, i dyti ishte ai i shpalljes së pavarësisë më 2008 e tash tetori 2019 është entuziazmi i tretë. Është vala e re që do ta forcojë republikën tonë e do t’i japë hov zhvillimit e barazisë për të gjithë juve. Ju sot keni votuar për ta shpëtuar shtetin tonë nga kapja e që s’lejuan që drama e kapjes të ketë fund tragjik. Hapim kapitull të ri me faqe të bardhë e zemër të ngrohtë.

Në qeverisjen tonë, s’ka hajna. Hajnat do të luftohen, hetohen, gjykohen e dënohen kudo që janë. Jeta e ndershme do të jetë e kollajshme, jeta e kriminelëve do të jetë e vështirë deri në humbje të lirisë. Ne kemi humbur shumë kohë në këto 20 vjet. Sa mundësitë ishin të shpërdoruara.

Sa shanset e shkuara huq, por tash erdhi dita për ju qytetarë të Kosovës. erdhi dita për ju popull i dashur pa dallim a jeni nga fshati a qyteti, burrë a grua, të gjithë jeni të barabartë para ligjit e do të fitoni shansin të jetoni ndershëm e me meritë nga puna juaj. S’do të ketë njerëz që pasurohen as brenda natës as brenda javës. Premtimet tona do t’i përmbushim. Zotimet tona do t’i përmbushim sepse do t’u shërbejnë juve” tha Albin Kurti.

Ndërkohë që PDK-ja ka pranuar humbjen dhe tashmë do të jetë në opozitë. Sipas këtyre rezultateve, gjithmonë paraprake, Lëvizja Vetëvendosje do të ketë 30 deputetë nga 120 që janë në total, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës 29 deputetë. Partia Demokratike e Kosovës pritet të ketë 26 deputetë, koalicioni AAK – PSD 14 deputetë, ndërsa NISMA nëse e kalon pragun pritet të ketë 6 deputetë.

Ndarja e qyteteve në bazë të rezultateve të zgjedhjeve:
VV – Gjilan, Kaçanik, Kamenicë, Obiliq, Prishtinë, Prizren, Ferizaj, Vushtrri, Hani i Elezit
LDK – Dragash, Istog, Fushë Kosovë, Lipjan, Pejë, Podujevë, Suharekë, Viti
AAK-PSD – Deçan, Gjakovë, Klinë, Rahovec, Junik
PDK – Drenas, Mitrovicë, Skenderaj, Shtime
Nisma-AKR-PD – Malishevë
KDTP – Mamushë
Lista Serbe – Leposaviq, Novobërdë, Shtërpcë, Zubin Potok, Zveçan, Graçanicë, Ranillugë, Partesh, Kllokot, Mitrovica e Veriut.

Artikulli paraprakZGJEDHJET, LSI: FAQJA E BARDHË E KOSOVËS DHE FAQJA E ZEZË E EDI RAMËS
Artikulli tjetërZGJEDHJET, BASHA: KOSOVA I BESOI OPOZITËS! SHEMBULL FRYMËZUES