Pasditën e djeshme është mbyllur turneu tre ditor i volejbollit, “Volejpoja Beach Trophy 2023”, që u zhvillua në plazhin e Velipojës. Në fakt, ky aktivitet, në të cilin morën pjesë 20-ekipe, kryesisht nga Shkodra, por edhe nga Tirana apo edhe Kosova, ka qenë një organizim i Bashkisë Shkodër dhe Federatës Shqiptare të Volejbollit, që e kanë kthyer plazhin më të madh të brigjeve të Adriatikut, në qendër të vëmendjes së garave sportive në rërë dhe promovimit të vlerave turistike. Kështu, 32-ndeshje u zhvilluan përgjatë tre ditëve të aktivitetit, të ndara në kategoritë meshkuj dhe femra, përballje këto ku u shënua shumë rivalitet dhe emocione, teksa në fund u kurorëzuan edhe tre ekipet më të mira. I pranishëm ishte edhe zv/kryetari i Bashkisë, Rudin Beka, i cili fillimisht ka përshëndetuar aktivitetin, duke përgëzuar organizatorët, si edhe pjesëmarrësit në garë, teksa më pas ndau edhe çertifikatat dhe medaljet për fituesit. Në fjalët e tij, zv/kryetari i Bashkisë Shkodër u shpreh se po punohet që Velipoja të kthehet në qendrën e garave sportive në rërë.
Fitues të vendit të parë në kategorinë e meshkujve dolën Ledion Martiro dhe Andi Bareti nga Tirana, ndërsa tek femrat Deborah Keçi po nga Tirana dhe Valmira Ramadani nga Kosova. Vendi i dytë për meshkuj shkoi për dyshen Juli Talaj dhe Kristian Kola, ndërsa për femra dolën Antoneta Molla dhe Xhesi Kaçi. Ndërkohë, vendi i tretë për meshkuj ishte për Fatjet Haxhagiqin dhe Elidon Markun, ndërsa për femra për Vasilika Gjinin dhe Alisa Ibrahimin. Ajo që ra në sy në këtë aktivitet ishte mungesa e shumë sportistëve shkodranë, të cilët e kanë parë të pa-arsyeshme të marrin pjesë në këtë turne. Ndërkohë që, klubi Tirana kishte ardhur me një grup shumë të organizuar dhe jo më kot, u shpallën fitues si për meshkuj, ashtu edhe për femra.