Dy fëmijë, shqiptare nga Kosova, vëlla e motër, kanë humbur jetën pasi kanë rënë në një lumë në komunën Montbrison, Loire të Francës.
Fëmijët, të lindur më 2014 dhe 2017, kanë qenë duke luajtur bashkë me nënën e tyre përreth lumit Le Moingt (niveli i të cilit është rritur kohëve të fundit si pasojë e reshjeve të mëdha), kur vëllai, që ishte më i ri në moshë, ka rënë në ujë, ndërsa motra e tij më e madhe ka kërcyer për ta nxjerrë atë nga uji, por pa sukses, raporton agjencia franceze e lajmeve AFP.
Siç raporton AFP, nëna 35 vjeçare me prejardhje nga Kosova kishte dalë me fëmijët e saj për të ngrënë në një restorant fast-food para se t’i dërgonte ata në orët e pasdites për të luajtur përreth lumit që kalon afër qendrës tregtare Montbrison, transmeton Koha.net.
Sipas deklaratës së saj, fillimisht në ujë kishte rënë djali, e më pas motra e tij ka kërcyer për ta nxjerrë atë nga uji, por është tërhequr nga rrjedha e lumit. Më pas ka kërcyer në ujë edhe nëna, që ia ka dalë t’i kapë ata, por pa qenë në gjendje që t’i rikthejë në jetë.
Më pas ajo ka kërkuar nga njerëzit përreth që t’i lajmërojnë shërbimet emergjente. Ndonëse arritën në vend të ngjarjes, shërbimet emergjente s’mundën të bënin asgjë, kanë thënë burime nga xhandarmëria për AFP-në.
Nëna, e tronditur, është hospitalizuar.
Zyra e prokurorit në Saint-Etienne ka hapur një hetim, dhe ka urdhëruar që t’u bëhet autopsia trupave të pajetë.