Me dhjetra pushues i dhanë ndihmën e parë shtetasit Arsid Sylja në plazhin e Velipojës por 20-vjeçari nuk arriti që të shpëtojë. I riu po lahej bashkë me familjarët kur në thellësi dyshohet se ka pësuar arrest kardiak. Dëshmitarët që i dhanë ndihmën e parë thonë se në plazhin e velipojës nuk ka roje bregdetare dhe se autoambulanca vonoi për të shkuar në vendngjarje.

Ndërkohë mjeku i qendrës shëndetësore të Velipojës Teuton Muzaka hedh poshtë akuzat për vonesë dhe thotë se menjëherë pas telefonatës në numrin 127 të Shërbimit Kombëtar të Urgjencës, pas katër minutash kanë mbërritur por pavarësisht ndihmës së parë i riu kishte ndërruar jetë.

Ndërkohë disa pushues të tjerë shprehen se ambulance mbërriti në kohën e duhur por 20 vjeçari doli i pajetë nga uji.

Shtetasi Arsid Sylja vuante nga probleme të shëndetit mendor dhe mjekohej me medikamentet përkatëse teksa ditët e fundit kishte dalë nga spitali psikiatrik i Shkodrës. I riu po lahej me babain dhe nënën kur papritur ka mbetur disa metra më mbrapa në thellësi në plazhin e Velipojës duke humbur jetën. 20 vjeçari është viktima e parë në këtë sezon veror në Velipojë.

Artikulli paraprakPARKIMET, NUK RESPEKTOHET VENDIMI I BASHKISË
Artikulli tjetërSHTYPI I DITËS 26 KORRIK 2023