Senatori i Shteteve të Bashkuara, John McCain, gjatë fjalimit të tij në parlamentin e kosovar, ka deklaruar se pavarësisht vështirësive, pajtimi mes Kosovës dhe Serbisë është një proçes i mundshëm.

Zyrtari i lartë amerikan theksoi rëndësinë e vazhdimit të dialogut, ndërsa bëri thirrje që ushtria të themelohet me konsensus të gjerë, përfshirë dakordësinë e deputetëve serbë. Në mbyllje, McCain garantoi edhe vazhdimin e mbështetjes amerikane në rrugën e integrimit të Kosovës në organizmat ndërkombëtare. Në fjalimin e tij në Parlamentin e Kosovës, Senatori i ShBA, John McCain, ka theksuar rëndësinë e normalizimit të marëdhënieve me Serbinë, duke deklaruar se pajtimi është një proçes i vështirë por jo i pamundur. Ai u shpreh se është mjaft e rëndësishme që edhe ushtria të themelohet me anë të konsensusit me serbët e Kosovës.

John McCain: “Unë e di që ka persona që besojnë se Kosova dhe Serbia nuk do t’i normalizojnë asnjëherë marëdhëniet mes tyre dhe se rruga e pajtimit mund të jetë e hapur për shumë vende por jo për vendet tuaja. Megjithatë, unë ju bëj thirrje t’i braktisni këto fatalizma. E di që humbja e të dashurve tuaj në luftë nuk është diçka e thjeshtë për t’u përballur, megjithatë, besoj se pavarësisht të gjithave, rruga drejt pajtimit është e vështirë dhe jo e pamundur. Normalizimi i marëdhënieve është një interes i përbashkët, si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë, në familjen e përbashkët europiane ku këto vende aspirojnë të antarësohen. Gjithashtu, është e rëndësishme që edhe themelimi i ushtrisë të ndodhë nëpërmjet konsensusit me palën serbe”.

Në mbyllje të fjalimit të tij, senatori amerikan garantoi mbështetjen e vazhdueshme të ShBA për Kosovën.

John McCain: “Gjatë kohës që Kosova përshkon këtë rrugë të gjatë dhe të vështirë, ju nuk do të ecni kurrë vetëm. Unë dhe ShBA do të jemi me ju, pasi ne e vlerësojmë rëndësinë e stabilitetit të rajonit”.

Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, John McCain, u nderua me Urdhrin e Lirisë, nga Presidenti Thaçi, ndërkohë që zhvilloi edhe biseda me kryeministrin Isa Mustafa si dhe kryeparlamentarin, Kadri Veseli. Në diskutimet është folur kryesisht mbi rëndësinë e stabilitetit rajonal si dhe vazhdimin e rrugës së Kosovës në proçeset për integrimin e mëtejshëm në organizmat ndërkombëtare.

Artikulli paraprakKRIZA NË MAQEDONI, LSDM: KEMI PLAN PËR ZHBLLOKIMIN E KUVENDIT
Artikulli tjetër“HISTORITË” E INSTAGRAM-IT, MË TË SUKSESSHME SE ATO TË SNAPCHAT