Kryetari i PD-së, Sali Berisha ka sulmuar ashpër kryeministrit Edi Rama sa i takon çështjes McGonigal.
Ai tha se Rama nuk ka nder e komb.
“Kohë kritike në shumë aspekte. Regjimi i kalbur i Ramës është sot kryeministri dhe regjimi më i diskretituar pas Koresë së Veriut, Carit dhe Lukashenkos. Akti i Ramës është një thikë e tmerrshme pas shpine që ky njeri i cili s’ka nder, s’ka komb, s’ka atdhe, flamur e dinjitet, ka bërë ndaj kombit amerikan, SHBA dhe qeverisë së saj dhe më gjerë. Edi Rama, ka përbaltur pas Enver Hoxhës, më shumë se kushdo tjetër, emrin e Shqipërisë para kombit amerikan dhe qeverisë së SHBA-ve e kongresit. Rama është sjellë me aktin e tij, siç sillen armiqtë ndaj njëri-tjetrit.”, tha ai.
Ai akuzoi Ramën se ka tentuar të shkatërrojë me këtë akt korruptiv, opozitën shqiptare.
“Rama është sjellë sikur të jetë i biri i Enverit, i Kim Yong Un-it. Në këtë kontekst mund të themi se ka kryer një akt me pasoja që skalitet gjatë në memorie. Kësaj i thonë; të të vijë nga ai që kurrë nuk e pret. Edi Rama këtë akt të pashembullt, e ka bërë vetëm e vetëm të shkatërrojë opozitën shqiptare. Këtë korruptim, ai e ka bërë vetëm për të rrënuar në një akt armiqësor ndaj demokracisë, për të rrënuar opozitën shqiptare. Korruptoi Mcgonigal, shfrytëzoi dobësitë e një njeriu të degraduar, që shkelmoi betimin që na bërë për t’i shërbyer vendit të tij.”, pohoi Berisha.