MINISTRIA E FINANCAVE LËSHON URDHRIN, NE SHTATOR STAFET E REJA. Në datën 7 korrik mbyllen llogaritë e komunave që shkrihen, ndërsa krerëve u hiqet “vula” për të kryer veprime në Thesar. Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, ka firmosur urdhrin për procedurat e mbylljes së llogarive të njësive të qeverisjes vendore që do të shkrihen. Ndërkaq, qeveria ka përgatitur një manual se si veprohet me transferimin e stafit në këto njësi. Janë të paktën 20 mijë punonjës që shkurtohen, proces i cili do të nisë nga sot, por do të vazhdojë edhe pas konstituimit të të zgjedhurve të rinj.

Nëpunësit autorizues dhe nëpunësit zbatues të njësive të qeverisjes vendore që do të shkrihen, sipas urdhrit të Canit, kanë të drejtën e veprimit në degën e Thesarit përkatëse për kryerjen e transaksioneve të mbylljes së llogarive vjetore deri më datë 10 korrik 2015. “Çdo rast specifik, pas datës 10 korrik 2015, do të trajtohet ‘rast pas rasti’ nga Ministria e Financave”, theksohet në këtë urdhër, duke lënë të kuptohet se të gjitha pagesat, pas kësaj date do të kalojnë për shqyrtim në ministri. Pagat e korrikut do të firmosen nga kryetarët e rinj të bashkive. Ministria e Financave sqaron se njësitë e qeverisjes vendore, që do të shkrihen, duhet të paguajnë deri në datën 7 korrik 2015 shpenzimet, dokumentacioni i të cilave përmban datën deri më 30 qershor 2015. Po ashtu, njësitë e qeverisjes vendore duhet të likuidojnë shpenzimet për paga dhe të tjera të lidhura me to (si sigurimet shoqërore etj.), të muajit qershor, brenda datës 7 korrik 2015. Urdhri i Canit përcakton se, të ardhurat e njësive vendore të shkrira të papërdorura deri në 07 korrik 2015 do t’i trashëgohen njësisë së re vendore, ndërsa të ardhurat tatimore vendore, për të cilat vepron si agjent tatimor administrata tatimore qendrore dhe institucione të tjera qendrore, do të rakordohen dhe alokohen, po ashtu, deri më 7 korrik 2015. Fondet e papërdorura do t’i kalojnë njësisë së re vendore. Sipas këtij urdhri, transferta e pakushtëzuar (tremujori III (10%) dhe tremujori IV (10%)) për njësitë e qeverisjes vendore që do të shkrihen në kuadrin e reformës territoriale, është çelur në Sistemin Informatik Financiar të Qeverisë më datë 1 korrik 2015. Urdhri i firmosur nga Shkëlqim Cani saktëson se deri më 20 korrik 2015, degët e thesarit duhet të dërgojnë në Ministrinë e Financave (Drejtorinë e Përgjithshme të Buxhetit), në mënyrë elektronike dhe në rrugë shkresore, gjendjen e buxhetit (tepricën) nga transferta e pakushtëzuar, të ardhurat e veta dhe të tjera të ardhura për njësitë e qeverisjes vendore që do të shkrihen, si dhe detyrimet e prapambetura. Të gjitha njësitë e reja të qeverisjes vendore, brenda 5 ditëve nga konstituimi i tyre, duhet të paraqesin në Ministrinë e Financave shkresën për konfirmimin e Nëpunësve Autorizues dhe Nëpunësve Zbatues, sipas kërkesave ligjore në fuqi. Ministria e Financave konfirmon se është i garantuar buxheti për pjesën e mbetur të vitit 2015 dhe një tjetër fond, prej rreth 20 milionë dollarë, është gati për të mbështetur ide, mendime, projekte, vizione të fituesve në zgjedhjet vendore. Sikurse është bërë e ditur, pas zgjedhjeve vendore, po hidhet një hap drejt procesit të projektbuxheteve afatmesme. Ministritë kanë buxhete afatmesme 3-vjeçare, bashkitë nuk i kanë ato dhe Ministria e Financave synon që edhe bashkitë të kenë buxhete afatmesme 3-vjeçare.

Artikulli paraprakPROJEKTI FLOODIS, SYNON PARANDALIMIN E PËRMBYTJEVE
Artikulli tjetër25 VITE NGA EKSODI I PARË