Gjatë vitit 2018, në Aeroportin “Nënë Tereza” kaluan rreth 2 milionë e 960 mijë pasagjerë, por gjatë muajit dhjetor është konstatuar edhe një numër i lartë i personave që kanë tentuar të udhëtojnë me dokumente të falsifikuara.

Gjatë kontrolleve të muajit të fundit, agjentët e Policisë Kufitare të Rinasit arrestuan në flagrancë 39 persona. Gjatë verifikimeve për shtetasit në dalje të territorit të Shqipërisë, atyre iu gjetën dokumente të falsifikuara italiane, greke, rumune e bullgjare, me të cilat synonin të kalonin në zonën “Schengen”.

Sipas burimeve, gjatë intervistimit, shumica e personave kanë deklaruar se destinacioni i tyre përfundimtar ishte Britania e Madhe. Personat në fjalë kishin zgjedhur pikërisht këtë periudhë festash, ku në të gjithë aeroportet e vendeve “Schengen”, e jo vetëm, shtohet fluksi i lëvizjeve, me shpresën se do t’iu shpëtonin kontrolleve.

Sipas specialistëve, dokumentet e falsifikuara – të sekustruara tashmë, – rezultojnë të një cilësie të lartë, pothuajse identike me origjinalet. Sipas burimeve policiore, një dokument të tillë në Shqipëri mund ta sigurosh për një shumë që varion nga 300 deri në 500 euro.

Në Aeroportin “Nënë Tereza” janë shtuar prej muajsh kontrollet edhe për frenimin e azilkërkimit, duke rritur ndjeshëm edhe numrin e personave që refuzohen në dalje, pasi nuk plotësojnë kushtet për të udhëtuar në zonën “Schengen”.

Artikulli paraprakDITA E UJIT TË BEKUAR, TË RINJTË SFIDOJNË TË FTOHTIN, HIDHEN NË LUMË PËR TË KAPUR KRYQIN
Artikulli tjetërKOTZIAS FLET PËR IKJEN E BUSHATIT: ISHTE KUNDËR NDRYSHIMIT TË KUFIJVE MES KOSOVËS E SERBISË